Kalo te përmbajtja

Irina Zaharçenko dhe Valida Jabrajilova në Baku

11 DHJETOR 2017
AZERBAJXHAN

Gjykata e Azerbajxhanit dëmshpërblen Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën

Gjykata e Azerbajxhanit dëmshpërblen Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën

Më 4 gusht 2017, një gjykatë krahinore në Baku, Azerbajxhan, vendosi të dëmshpërblente Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën, dy Dëshmitare të Jehovait, për burgosjen e padrejtë 11-mujore. Megjithëse dëmshpërblimi monetar ishte i pamjaftueshëm në krahasim me keqtrajtimin e tyre, në këtë vendim pranohej se autoritetet shtetërore i kishin dënuar pa baza, u kishin shkaktuar dëme emocionale dhe fizike, si edhe kishin njollosur reputacionin e tyre të mirë.

Shfajësimi i dhënë nga Gjykata e Lartë çon në kërkesën për dëmshpërblim

Më 8 shkurt 2017 Gjykata e Lartë e Azerbajxhanit i shfajësoi znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova nga akuza penale për shpërndarjen e literaturës fetare pa leje nga shteti. Gjykata doli në përfundimin se broshura në fjalë, Mësoji fëmijët, ishte miratuar për t’u importuar dhe nuk ishte e dëmshme për shoqërinë. Përveç kësaj, Gjykata tha se ishte e drejta e tyre themelore të flitnin me të tjerët për bindjet personale. Gjykata e Lartë e bazoi vendimin te të drejtat që garantojnë Kushtetuta e Azerbajxhanit dhe traktatet ndërkombëtare që ka ratifikuar Azerbajxhani.

Gjykata e Lartë e la çështjen e dëmshpërblimit në dorë të gjykatave civile. Si pasojë, znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova iu drejtuan Gjykatës Krahinore të Nasimit, në qytetin Baku, duke i kërkuar Ministrisë së Financave dëmshpërblim për keqtrajtim nga Shërbimi i Sigurimit të Shtetit (dhe paraardhësi i tij, Ministria e Sigurisë Kombëtare). Të dyja gratë ishin të pranishme në gjykatë, edhe pse znj. Zaharçenko nuk ishte mirë me shëndet. Gjykatësi Shahin Abdullajevi i lejoi të tregonin shkurtimisht përvojat e hidhura që kishin kaluar.

Gjykata Krahinore pranon keqtrajtimin

Vendimi i gjykatës krahinore ritheksoi zotimin e Azerbajxhanit për të respektuar të drejtat themelore të shtetasve të tij dhe plotësoi pjesërisht kërkesat e Dëshmitarëve. Znj. Zaharçenko, shëndeti i së cilës është rënduar tej mase nga gjithë këto peripeci, u dëmshpërblye me 9.744 manat (5.737 dollarë amerikanë), kurse znj. Jabrajilova, më e re në moshë, mori 8.200 manat (4.828 dollarë amerikanë). Në vendim thuhej: «Gjykata beson se burgosja e paligjshme e paditëseve dhe ndjekja penale e pavërtetuar u shkaktoi dëme morale.»

Ministria e Financave e apeloi vendimin për dëmshpërblimin e dy grave Dëshmitare. Më 20 nëntor 2017 Gjykata e Apelit në Baku e hodhi poshtë kërkesën e Ministrisë dhe la në fuqi vendimin e gjykatës krahinore.

A do të kenë ndikim pozitiv vendimet gjyqësore?

Dëshmitarët e Jehovait në Azerbajxhan qëndrojnë të palëkundur në adhurimin e tyre edhe kur u shkelet rëndë e drejta themelore e lirisë fetare dhe kur vihet në rrezik siguria e tyre. Ata vazhdojnë, pavarësisht se i ngacmojnë, i gjobitin dhe i keqtrajtojnë kur mblidhen për të adhuruar Perëndinë dhe kur angazhohen në veprimtarinë fetare paqësore. Qeveria nuk ka siguruar ndonjë shërbim alternativ civil për ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Autoritetet nuk pranojnë t’i regjistrojnë ligjërisht Dëshmitarët jashtë qytetit të Bakut. Aktualisht, në lidhje me keqtrajtimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan nga qeveria, janë pezull 18 kërkesa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe 11 ankesa pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën shpresojnë se vendimet e fundit të gjykatave do t’i nxitin autoritetet t’i respektojnë të drejtat e bashkëbesimtarëve në Azerbajxhan.