8 MAJ 2018
AZERBAJXHAN
Gjykata e Lartë e Azerbajxhanit lë në fuqi vendimin për të dëmshpërblyer Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën
Më 16 prill 2018 Gjykata e Lartë e Azerbajxhanit la në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët e cila vendosi të dëmshpërblente Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën për burgosjen e padrejtë 11-mujore. Më parë, në shkurt 2017 Gjykata e Lartë i kishte shfajësuar të dyja gratë nga akuza penale për shpërndarjen e literaturës fetare pa leje nga shteti. Gjithsesi, Gjykata e Lartë e la çështjen e dëmshpërblimit në dorë të gjykatave civile.
Pasi u shfajësuan nga të gjitha akuzat, znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, Dëshmitare të Jehovait, kërkuan dëmshpërblim për keqtrajtimin, pranë gjykatave civile. Në gusht 2017 një gjykatë krahinore vendosi t’i dëmshpërblente, por Ministria e Financave e apeloi vendimin. Në nëntor 2017 një gjykatë apeli la në fuqi vendimin e gjykatës krahinore. Ministria e kundërshtoi sërish vendimin dhe e apeloi pranë Gjykatës së Lartë në shkurt 2018. Gjykata e Lartë e refuzoi apelimin e Ministrisë dhe la në fuqi vendimin për t’i dëmshpërblyer të dyja gratë.
Gjykata e Lartë jo vetëm që siguroi njëfarë dëmshpërblimi për znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, por edhe pranoi se ato kanë vuajtur shumë për shkak të zyrtarëve, të cilët abuzuan me autoritetin dhe u shkelën të drejtat këtyre grave të pafajshme.