Kalo te përmbajtja

18 SHKURT 2016
AZERBAJXHAN

Azerbajxhani shpall fajtore Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën, pastaj i liron

Azerbajxhani shpall fajtore Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën, pastaj i liron

Më 28 janar 2016, në Gjykatën Krahinore të Pirallahit në Baku, u zhvillua gjyqi për Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën. Ato ishin të rraskapitura e të pafuqishme, ama të palëkundura. Të kyçura në një kafaz të hekurt si kriminele të regjura, dëgjuan dënimin nga gjykatësi Akram Gahramanov. Ai i shpalli fajtore për shpërndarje të literaturës fetare pa leje nga shteti dhe gjobiti secilën me nga 7.000 manat (4.361 dollarë amerikanë). Meqë tashmë kishin bërë 11 muaj burg, ua anuloi gjobat dhe i liroi.

Burgosje e padrejtë

Ministria e Sigurisë Kombëtare (MSK) në Azerbajxhan pretendonte se znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, Dëshmitare të Jehovait, kishin kryer krim kur i dhanë një broshurë biblike falas një fqinje në Baku. MSK-ja e hetoi për dhjetë javë veprën penale të supozuar dhe herë pas here i mori në pyetje, duke i trajtuar ashpër. Më 17 shkurt 2015, kur u paraqitën sërish pasi i kërkoi MSK-ja, u çuditën kur përfunduan si të akuzuara në një seancë gjyqësore * dhe i futën në paraburgim.

Që nga fillimi, autoritetet i trajtuan gratë si kriminele që përbëjnë «kërcënim për shoqërinë». Një pjesëtar i palës mbrojtëse tha: «U çudita kur hetuesi i përshkroi veprimet e tyre me terma aq të ekzagjeruar. Ai supozoi se gratë ishin marrë vesh me njëra-tjetrën që të kryenin një vepër penale dhe e kishin shkelur ligjin me dashje. Faktikisht, Valida ishte rikthyer të fliste me një grua, së cilës më parë i kishin pëlqyer bisedat biblike dhe kishte kërkuar literaturë fetare. Gruaja i kishte ftuar në shtëpi për një çaj Validën e Irinën dhe kishte pranuar një broshurë fetare.»

Trajtim abuziv dhe një fushatë më e gjerë

Kafaz i hekurt në sallën e gjyqit

Gjatë 11 muajve të burgosjes, MSK-ja i mbajti në izolim znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, duke i ndaluar vizitorët, telefonatat, letrat dhe Biblën. Oficerët e MSK-së u bënë vazhdimisht presion psikologjik. Ato u bënë kockë e lëkurë, të pafuqishme dhe vuanin nga pagjumësia. Gjykata i refuzoi të gjitha apelimet dhe kërkesat që të kalonin në arrest shtëpie derisa të përfundonte gjyqi.

Gjatë seancave në maj, korrik dhe shtator 2015 MSK-ja ua intensifikoi vuajtjet, duke i kërkuar gjykatës t’ua zgjaste periudhën e paraburgimit. Në dhjetor, kur më në fund u shqyrtua çështja, gjykatësi Gahramanov i shtyu tri herë seancat. Si përfundim, Irina dhe Valida ndenjën në burg afërsisht një vit derisa gjykata mori vendimin më 28 janar 2016.

Gjatë seancave gjyqësore doli në pah se MSK-ja synonte një fushatë edhe më të gjerë kundër Dëshmitarëve të Jehovait. MSK-ja i kërkoi gjykatës t’i mbante në burg gratë, që të identifikonte Dëshmitarë të tjerë bashkëpunëtorë në aktivitetin e supozuar kriminal. Gjatë kohës që gratë ishin në burg, autoritetet i përndoqën Dëshmitarët e Jehovait në Baku, duke i marrë vazhdimisht në pyetje dhe duke bastisur dhjetëra shtëpi dhe një vend adhurimi.

Apel ndërkombëtarëve

Dëshmitarët e Jehovait iu drejtuan organizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, duke kërkuar lehtësim për znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova. Ata paraqitën kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe disa organizmave të OKB-së. Dëshmitarët e Jehovait përreth botës u dërguan mijëra letra zyrtarëve azerbajxhanas. Përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait në vende të tjera u takuan me autoritetet e tyre qeveritare dhe i dërguan letra drejtpërdrejt presidentit të Azerbajxhanit, duke kërkuar ndërhyrje humanitare.

Më 2 dhjetor 2015 Grupi i Punës i OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare (GPBA) doli në përfundimin se mënyra si i kishte trajtuar Azerbajxhani këto gra, shkelte të drejtat e tyre dhe ishte diskriminim fetar. Ai i nxiti autoritetet azerbajxhanase t’i lironin znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, si edhe t’i dëmshpërblenin për burgosjen arbitrare. Të nesërmen, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i kërkoi qeverisë ta kalonte në arrest shtëpie znj. Zaharçenko ngaqë po i përkeqësohej shëndeti.

Shpallen fajtore pa baza

Gjatë gjyqit, në fillim gjykatësi Gahramanov dëgjoi dëshminë e «viktimës», së cilës znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova i kishin dhënë një broshurë. Gjithsesi, dëshmia e «viktimës» ishte e pakuptimtë, jokoherente dhe binte ndesh me pohimet e saj të mëparshme. Ajo nuk arriti të shpjegonte ç’dëm kishte pësuar. Më pas, gjykatësi u dha mundësi grave t’i bënin pyetje «viktimës». Me respekt, ato nxorën në pah se dëshmia e gruas ishte jokoherente ndërsa deklarata e saj, e pasaktë, e megjithatë i thanë se e kishin falur.

Gjithashtu, gjykatësi thirri edhe dy «dëshmitarë okularë» të krimit të supozuar, që ishte shpërndarje e literaturës fetare pa leje nga shteti. Këta dëshmitarë kishin firmosur deklarata ku supozohej se znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova kishin kryer vepër penale, por e pranuan se as që i kishin lexuar deklaratat. Kur u pyetën, dëshmitarët pranuan edhe që nuk i njihnin znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, dhe se ato nuk u kishin dhënë ndonjë literaturë fetare. Gjykatësi lexoi me zë edhe deklaratën e një dëshmitari të tretë, e cila po ashtu ishte jokoherente e kontradiktore.

Pavarësisht nga provat në favor të znj. Zaharçenko dhe të znj. Jabrajilova, gjykatësi Gahramanov i shpalli fajtore. Pas gjyqit, një avokat i palës mbrojtëse tha: «Më duket vendim absurd. GPBA-ja arriti në përfundimin se grave u është bërë padrejtësi dhe kërkoi të liroheshin e t’i dëmshpërblenin. Kurse tani, vetëm pak javë më vonë, gjykatësi i shpalli fajtore.» Gratë po shqyrtojnë mundësinë që t’i apelojnë këto vendime të padrejta.

Kur do të marrë fund përndjekja e Dëshmitarëve të Jehovait në Azerbajxhan?

Komuniteti mbarëbotëror i Dëshmitarëve të Jehovait është më i qetë që tani Irina Zaharçenko dhe Valida Jabrajilova janë të lira, në gjirin e familjes, si edhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Gjithsesi janë të skandalizuar që Azerbajxhani jo vetëm ka lejuar që këto gra paqësore e të pafajshme të keqtrajtohen pa të drejtë, por edhe e ka justifikuar këtë, duke i shpallur fajtore.

Përveç Dëshmitarëve, edhe shumë të tjerë janë të shqetësuar që Azerbajxhani shkel në mënyrë flagrante lirinë e fesë. Komuniteti ndërkombëtar po sheh me interes nëse qeveria do t’i trajtojë më mirë minoritetet fetare. Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të kërkojnë mundësi që të diskutojnë çështje që lidhen me adhurimin e tyre në Azerbajxhan dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me qeverinë.

^ par. 4 Më 10 nëntor 2015, kur u lexua aktakuza, hetuesi i MSK-së i akuzoi gratë se kishin shkelur nenin 167-2.2.1 të Kodit Penal të Republikës së Azerbajxhanit, sipas të cilit asnjë grup nuk mund të shpërndajë literaturë fetare pa lejen e duhur.