20 PRILL 2022
BELGJIKË
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Belgjikë për çështjen e taksave
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi unanimisht se qeveria belge i ka diskriminuar Dëshmitarët e Jehovait kur taksoi pronat e 9 kongregacioneve në rajonin e kryeqytetit të vendit, Brukselit. Vendimi për çështjen Asambleja e krishterë e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të tjerë kundër Belgjikës, publikuar më 5 prill 2022, mund të mbrojë lirinë tonë fetare jo vetëm në Belgjikë, por edhe në vende të tjera evropiane.
Deri në vitin 2018, të gjitha fetë në rajonin e kryeqytetit, Brukselit, ishin të përjashtuara nga taksat për vendet e adhurimit. Por atë vit, rajoni e ndryshoi ligjin dhe vendosi se vetëm 6 «fe të njohura» nga shteti mund të përfitonin nga përjashtimi i taksave. Si pasojë, Dëshmitarët e Jehovait duhej të paguanin taksa tejet të larta për pronat e Sallave të Mbretërisë në Bruksel, që arrinin gati 45.000 euro në vit.
GJEDNJ-ja vendosi se, duke përjashtuar nga taksat vetëm 6 «fe të njohura» nga shteti, rajoni i kryeqytetit, Brukselit, i ka diskriminuar Dëshmitarët e Jehovait dhe ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vendimin e saj, GJEDNJ-ja u shpreh edhe se Belgjika ka gënjyer kur ka thënë se Dëshmitarët e Jehovait mund të aplikonin për t’u njohur nga shteti. GJEDNJ-ja vërejti se në Belgjikë procesin e njohjes se një feje nga shteti e nis vetëm Ministria e Drejtësisë dhe vendimin për këtë status e merr qeveria në mënyrë arbitrare.
Në vendimin zyrtar, GJEDNJ-ja tha se në Belgjikë, procesi për njohjen nga shteti është arbitrar. Pohoi edhe se është e paarsyeshme të presësh që grupet fetare të aplikojnë për njohjen nga shteti që të marrin përjashtimin nga taksat e pronave, nëse s’kanë ndonjë garanci për paanshmëri. Përkundrazi, gjykata i kërkoi Belgjikës të ishte «neutrale dhe e paanshme» me grupet fetare, si Dëshmitarët e Jehovait.
Vendimi i GJEDNJ-së theksoi se autoritetet shtetërore nuk mund të vendosin nëse disa bindje fetare janë të sinqerta apo jo dhe as si duhet adhuruar Zoti. Vendimi do të ndihmojë që edhe shtete të tjera evropiane të mos nxjerrin ligje që mund të diskriminojnë organizatën tonë.
Kemi dëshirë t’i japim lavdi emrit të Jehovait, ndaj e falënderojmë për të gjitha fitoret ligjore.—Zbulesa 15:4.