16 PRILL 2021
BELGJIKË
Përkujtimi i vdekjes së Krishtit për vitin 2021—Dëshmitarët e Jehovait në Belgjikë arrijnë një rekord në numrin e pjesëmarrësve në dekadat e fundit
Në Belgjikë, Përkujtimin e vdekjes së Krishtit për vitin 2021, eventi më i shenjtë i vitit për Dëshmitarët e Jehovait, e ndoqën gjithsej 49.040 veta. Kjo shifër shënon numrin më të lartë të pjesëmarrësve në Përkujtim në Belgjikë që nga viti 1995 dhe është gati sa dyfishi i numrit të Dëshmitarëve në këtë vend.
Ky rekord i të pranishmëve në këtë eveniment të krishterë është veçanërisht i rëndësishëm po të marrim parasysh faktin që Belgjika është një vend ku interesi për fenë bie dita-ditës. Për shembull, më 1970, mbi 90 për qind e belgëve thoshin se ishin të krishterë dhe pak më shumë se 6 për qind, se nuk besonin. Mirëpo, sipas raporteve të kohëve të fundit, numri i të krishterëve në Belgjikë ka rënë nën 60 për qind. Ndërsa ata që thonë se nuk besojnë, janë mbi 40 për qind e popullsisë.
Vitet e fundit, media në Belgjikë ka publikuar lajme të shtrembëruara dhe ndonjëherë komplet të rreme për Dëshmitarët e Jehovait. Pavarësisht nga kjo, gjithnjë e më shumë belgë kanë kërkuar informacione të sakta për Dëshmitarët e Jehovait. Shumë prej këtyre të interesuarve po shohin me sytë e tyre dashurinë që ekziston mes Dëshmitarëve të Jehovait dhe po provojnë në jetën e tyre ndikimin pozitiv që ka Bibla.—Gjoni 13:35.
Në shkurt të 2021-shit, zyra e degës në Belgjikë raportoi një maksimum të ri prej 11.804 vetash që studiojnë Biblën—afro 1.000 veta më shumë se shifra mesatare e vitit të kaluar të shërbimit. Pesë vitet e fundit, mesatarisht 450 veta çdo vit kanë zgjedhur të pagëzohen si Dëshmitarë të Jehovait.
Ky zhvillim pozitiv në Belgjikë është vetëm një shembull që tregon se si në mbarë botën Dëshmitarët e Jehovait po vazhdojnë të shohin përmbushjen e kësaj profecie: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm.»—Isaia 60:22.