Kalo te përmbajtja

10 DHJETOR 2019
BRAZIL

Fushatë speciale në zona të thella të Brazilit

Fushatë speciale në zona të thella të Brazilit

Dhjetëra mijë Dëshmitarë të Jehovait në Brazil po bëjnë përpjekje të veçanta për t’ua çuar mesazhin e Biblës njerëzve që jetojnë në fshatra të largëta. Kjo fushatë speciale nisi më 1 shtator 2018 dhe do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2019. Deri më sot, në të kanë marrë pjesë më shumë se 80.000 lajmëtarë që kanë filluar mbi 16.000 studime.

Brazili është vendi i pestë më i madh në botë. Sipas llogaritjeve, në zonat rurale jetojnë rreth 28 milionë veta dhe në qyteza e fshatra të thella 22 milionë të tjerë. Deri tani gjatë kësaj fushate janë predikuar mbi 1.600 territore. Për të takuar njerëzit, disa lajmëtarë kanë përshkuar më tepër se 2.000 kilometra.

Një lajmëtar shkoi në një shtëpi ku një i moshuar po merrej me kokrrat e kafesë që kishte korrur. Ai e ftoi lajmëtarin në shtëpi, thirri edhe gruan dhe i tha: «Na ka ardhur dikush të na flasë për Biblën. Hajt ta dëgjojmë!»

Të dy filluan t’i bënin pyetje vëllait. Donin të dinin për gjendjen e të vdekurve, pse i lejon Zoti vuajtjet, a është mirë të paguajnë të dhjetat, si t’i zgjidhin problemet familjare dhe shumë e shumë të tjera. Atij i bëri përshtypje që lajmëtari iu përgjigj nga Bibla, ndaj i shpjegoi se atë mëngjes i ishte lutur Zotit nëse do të merrte ndonjëherë përgjigje për pyetjet e shumta. Po atë mbrëmje, familja ndoqi mbledhjen e parë dhe vazhdojnë të studiojnë Biblën.

Në një zonë tjetër, lajmëtarët po predikonin shtëpi më shtëpi. Mirëpo i zuri një shi i rrëmbyer dhe u futën te një qendër shëndetësore. Ndërsa ishin atje, pyetën një grua me të bijën se ç’pyetje donin t’i bënin Perëndisë. Vajza tha se kishte shumë dëshirë të shihte përsëri gjyshen që i kishte vdekur. Lajmëtarët u treguan disa shkrime për ringjalljen dhe videon Ringjallja—Së shpejti realitet.

Më vonë, kur lajmëtarët shkuan në shtëpinë e tyre, filluan të studionin Biblën me gjithë familjen. Gruaja dhe e bija ndoqën një mbledhje në një qytet aty pranë dhe po e vazhdojnë studimin me telefon.

Bibla parathotë se Mbretëria e Perëndisë do të ketë nënshtetas «deri në skajet e tokës». Kjo fushatë speciale në zonat e thella të Brazilit pasqyron dëshirën e Jehovait që kjo profeci të plotësohet.—Psalmi 72:8.