Kalo te përmbajtja

Majtas: mirëpresim vizitorët në stendën e jw.org. Lart djathtas: një motër që nuk sheh dhe nuk dëgjon, komunikon në gjuhën e shenjave me të prekur. Poshtë djathtas: në një ekran interaktiv demonstrohet përshkrimi audio për videot në jw.org

5 TETOR 2022
BRAZIL

Në një panair në Brazil ekspozohen veçori të JW.ORG të aksesueshme nga personat me aftësi ndryshe

Në një panair në Brazil ekspozohen veçori të JW.ORG të aksesueshme nga personat me aftësi ndryshe

Nga 1 deri më 4 shtator 2022, Dëshmitarët e Jehovait u ftuan të merrnin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Teknologjisë për Përfshirjen dhe Integrimin e personave me aftësi ndryshe (Reatech 2022) që u mbajt në San-Paulo, Brazil. Reatech është panairi më i rëndësishëm për teknologjinë e aksesueshme në Amerikën Latine. Këtë vit, eventin e vizituan mbi 46.000 veta.

Në panair vëllezërit e motrat ngritën një stendë ku ekspozuan sitin jw.org dhe aplikacionet JW Library dhe JW Library Sign Language. Në stendë kishte edhe ekrane interaktive. Lajmëtarë që nuk shohin ose që kanë probleme me shikimin, ishin aty për të demonstruar si përdoren veçori të ndryshme të sitit dhe të aplikacioneve tona.

Një specialist që ndihmon personat me aftësi ndryshe vizitoi këndin tonë dhe tha: «Më lë pa fjalë fakti që një grup fetar interesohet kaq shumë për të ndihmuar njerëzit me nevoja të veçanta.» Një vizitor tjetër u shpreh: «Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t’i ndihmuar të gjithë të ndihen pjesë e shoqërisë.»

Reatech 2022 morën pjesë edhe përfaqësues të Organizatës Kombëtare për të Verbrit në Brazil (ONCB). Gjatë eventit, ata transmetuan në radio një emision për këtë panair. Gjatë ditës së parë dhe ditës së fundit të panairit, në emision intervistuan vëllezërit që asistonin në këndin tonë. Vëllezërit u shpjeguan si i ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait personat e verbër, ata që kanë probleme me shikimin dhe ata që nuk dëgjojnë, jo vetëm në Brazil por edhe në mbarë botën. Gjatë një interviste, një nga përfaqësuesit e ONCB-së tha se siti jw.org përmban disa nga materialet më cilësore në gjuhën e shenjave që kishte parë ndonjëherë.

Dy vëllezër intervistohen nga Organizata Kombëtare për të Verbrit në Brazil

Që nga kohët e lashta e deri më sot, Jehovai ka treguar gjithnjë merak të dashur për personat me kufizime fizike. (Levitiku 19:14) Jemi të bindur se ai kënaqet shumë kur sheh se Dëshmitarët e tij shfaqin të njëjtën dashuri. Ndërkohë mezi presim ditën kur «do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve».—Isaia 35:5.