25 QERSHOR 2020
BRAZIL
Ndihma për vëllezërit tanë në Amazonë
Komiteti i degës në Brazil ka krijuar 18 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) për t’u ardhur në ndihmë lajmëtarëve që po kalojnë vështirësi ekonomike si pasojë e pandemisë së koronavirusit. KNRK-të po ndihmojnë rreth 12.000 kongregacione në të gjithë vendin, përfshirë vëllezërit që jetojnë në zona të thella e të izoluara të lumit Amazonë. Deri më tani, 131 familje në Amazonë kanë marrë ndihma.
KNRK-ja në Manaus, kryeqyteti i shtetit të Amazonës, përgatiti disa pako me gjërat e nevojshme për një muaj. Në pako kishte ushqime, si fasule, miell kasave, oriz, qumësht pluhur, dhe artikuj higjieno-sanitarë, si sapun, letër higjienike, furça e pastë dhëmbësh. Vëllezërit i nisën pakot nga porti i Manakapurit aty pranë dhe i shpërndanë me varka në disa zona të izoluara, përfshirë Membekën dhe Lago-do-Kastanjon.
Motër Marinelma, që jeton në zonën e Lago-do-Kastanjos, u shpreh kështu pasi mori ndihmat: «Së pari, dua të falënderoj Jehovain që u kujdes për ne. Ishim në pikë të hallit, se s’kishim as një qindarkë për të blerë ushqime. Gjithashtu dua të falënderoj vëllezërit për bujarinë dhe dashurinë e tyre. Kur djali im 6-vjeçar më pa duke hapur pakon, përfitova nga rasti t’i shpjegoja se Jehovai përdori vëllezërit për të na ndihmuar. Ai më tha: ’Mami, a t’i themi faleminderit Jehovait në lutje?’»
Vëlla Jonas Monteiro, që jeton me familjen në qytetin e Kapirangës, i dërgoi një letër KNRK-së, ku ndër të tjera thoshte: «Faleminderit nga zemra për gjithë ndihmën. Përpjekjet tuaja tregojnë dashurinë që ka Jehovai për ne. Është nder i madh për ne të jemi pjesë e kësaj familjeje mbarëbotërore.»
Edhe vëllezërit që punojnë me KNRK-në janë inkurajuar shumë nga ky rast. Isak Emanuel Ramalho de Oliveira, një plak që shërben në KNRK, shpjegoi: «Çdo ditë që punoj me Komitetin e Ndihmës në Rast Katastrofash, ndiej sa shumë më forcohet besimi. Jam i sigurt se po nxjerr më shumë dobi unë nga kjo vepër, në krahasim me atë që po bëj për vëllezërit.»
Na forcohet besimi kur shohim me sa dashuri kujdeset Jehovai për shërbëtorët e tij, gjatë kësaj pandemie, pavarësisht se ku ndodhen.—Psalmi 94:14.