6 MAJ 2022
BRAZIL
Nis rinovimi i degës së Brazilit
Ka nisur një projekt tejet i madh për rinovimin e degës së Brazilit, që ndodhet 140 kilometra në perëndim të qytetit të San-Paulos. Synimi është të rinovohen godinat e Bethelit dhe të zëvendësohen materialet e ndërtimit dhe finiturat. Rinovimi i ndërtesave ekzistuese të Bethelit është një sfidë e vërtetë. Gjithçka duhet planifikuar dhe realizuar në atë mënyrë që të mos ndërpritet puna në degë. Për shembull, bethelitët duhet të transferohen në vendbanime të përkohshme gjatë rinovimit të dhomave. Është llogaritur që projekti të përfundojë brenda 5 vjetësh.
Vëllezërit do të rinovojnë një zonë gati 75.000 metra katrorë, ku futen të gjitha zyrat dhe 650 dhoma. Kështu, godinat e degës do të modifikohen më kollaj dhe do të jenë më të efektshme. Për shembull, muret e zyrave do të jenë të çmontueshme, që hapësirat të modifikohen fare lehtë kur të jetë e nevojshme. Çdo dhome do t’i shtohet një ambient i vogël për kuzhinën dhe për lavanderinë. Do të instalohen pajisje moderne që nuk e dëmtojnë mjedisin, të cilat do ta reduktojnë ndjeshëm konsumimin e ujit dhe të energjisë.
Vëllezërit e motrat që kanë dalë vullnetarë për projektin, do të banojnë në shtëpi të përkohshme në pronën e degës. Këtu përfshihet një magazinë ku u krijuan 25 dhoma të përkohshme. Përveç kësaj, 91 kontejnerë janë kthyer në rezidenca të përkohshme në fermën e Bethelit pranë godinave të degës.
Vëlla Xhoel Grigori, shërbëtor ndërtimi në këtë projekt, tha: «Po shohim se organizata e Jehovait jo vetëm që po e çon para projektin, por edhe po e stërvit popullin e tij. Shumë vullnetarë kishin fare pak ose aspak eksperiencë në ndërtim. Ndërsa tani, jo vetëm që janë stërvitur vetë, por po stërvitin edhe të tjerë.»
Jemi të bindur se Jehovai do ta bekojë me bollëk popullin e tij ndërsa «ofrohet vullnetarisht» për këtë projekt dhe për të tjera.—Psalmi 110:3.