20 DHJETOR 2023
BRAZIL
Përurohet në Brazil një qendër e re arsimimi
Më 3 dhjetor 2023, vëlla Eduardo Martinesi, anëtar i Komitetit të Degës në Brazil, mbajti në një Sallë Asamblesh vendase, fjalimin e kushtimit të qendrës së re të arsimimit nga Bibla. Kjo qendër ndodhet në Kabreuvë, Brazil. Më shumë se 2.400 vëllezër e motra e ndoqën fizikisht programin e kushtimit dhe mbi 4.900 u lidhën me videokonferencë.
Në këtë qendër do të zhvillohet kryesisht Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë dhe Shkolla për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e Tyre. Godina është aq e madhe sa të mbajë njëkohësisht 3 klasa, pra, çdo vit, afro 600 studentë do të kenë mundësi të ndjekin shkollat.
Më 2020, vëllezërit blenë një hotel dhe filluan ta përshtatnin në një qendër arsimimi. Ndërsa ndiqnin masat e sigurisë gjatë pandemisë COVID-19, vullnetarët krijuan nga kjo ndërtesë 3 klasa, 54 dhoma fjetjeje, një sallë ngrënieje dhe hapësirë për zyrat. Pak pas përfundimit të punimeve, në këtë qendër u organizua një pritje për publikun, që banorët vendas, përfshirë zyrtarët qeveritarë, të njiheshin me veprën tonë të arsimimit nga Bibla. Një zyrtar që vizitoi qendrën tha: «Keni bërë një punë kaq të bukur dhe me kaq cilësi! Kur bëjmë diçka për Zotin, kjo është mënyra si duhet bërë.»
Vëlla Hozheru Braganholo, i cili ndihmoi me rinovimin, tha: «Mbështetja e Jehovait u duk qartë në këtë projekt. Teksa shihnim dorën e tij gjatë punimeve, na u kujtuan fjalët e Psalmit 127:1: ‘Po s’e ndërtoi Jehovai shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.’»
Jemi të lumtur për këtë qendër të re arsimimi nga Bibla, e cila do të ndihmojë shumë e shumë vëllezër e motra në Brazil që të përmirësojnë «artin e mësimdhënies».—Titit 1:9, shënimi.