Kalo te përmbajtja

4 SHKURT 2020
BRAZIL

Vazhdon pastrimi pas përmbytjeve shkatërrimtare në Brazil

Vazhdon pastrimi pas përmbytjeve shkatërrimtare në Brazil

Që nga 18 janari 2020 në shtetet braziliane të Espirito-Santos dhe të Mina-Zheraisit kanë rënë shira të pazakonta, të cilat shkaktuan përmbytje shkatërrimtare. Ujërat që vërshuan rrugëve, dëmtuan shtëpi, morën para makina dhe shkulën pemë. Sipas autoriteteve, mijëra veta u detyruan të evakuoheshin dhe mbi 60 vdiqën.

Espirito-Santo

Në qytetet e Ikonës dhe të Alfredo-Çavesit përmbytja dëmtoi nëntë shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait, duke prekur kështu 27 prej tyre. Jemi të kënaqur që asnjë bashkëbesimtar nuk ka vdekur e as është lënduar.

Gati 100 Dëshmitarë nga kjo zonë dolën vullnetarë që të ndihmonin vëllezërit e motrat që u prekën nga përmbytjet. Nën drejtimin e pleqve të kongregacionit, vëllezërit dhuruan ushqim, ujë dhe veshje. Gjithashtu ndihmuan për të pastruar e për të hequr llucën nga shtëpitë e vëllezërve, por edhe të komshinjve që nuk janë Dëshmitarë.

Mina-Zherais

Asnjë nga vëllezërit e motrat nuk ka vdekur e as është lënduar. Megjithatë u dëmtuan pesë Salla Mbretërie dhe rreth 50 familje të Dëshmitarëve u detyruan të linin shtëpitë. Disa vëllezër mbetën të bllokuar nga niveli i lartë i ujërave dhe u desh t’i merrnin me varkë nga katet e dyta të shtëpive. Të gjithë vëllezërit e motrat që u evakuan, janë strehuar te miqtë e tyre Dëshmitarë të Jehovait.

Zyra e degës caktoi Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash si në Espirito-Santo, edhe në Mina-Zherais, që të organizojnë punën për dhënien e ndihmës. Këto komitete po punojnë bashkë me mbikëqyrësit qarkorë dhe me pleqtë vendës për t’u kujdesur për nevojat fizike dhe për t’u dhënë zemër nga Shkrimet lajmëtarëve të prekur nga kjo katastrofë.

Vazhdojmë të lutemi për vëllezërit e motrat në këto zona. Falënderojmë Jehovain që po i forcon, po i ngushëllon dhe po u siguron ndihmë praktike nëpërmjet vëllazërisë sonë të krishterë.—Psalmi 28:7.