14 MAJ 2024
BREGU I FILDISHTË
Predikimi i lajmit të mirë gjatë një kampionati kombëtar futbolli në Bregun e Fildishtë
Nga data 13 janar deri më 11 shkurt 2024, u zhvillua turneu i 34-t i Kupës së Afrikës me futbollistë nga i gjithë kontinenti afrikan. Ky event u mbajt në Bregun e Fildishtë dhe erdhën për ta ndjekur mijëra njerëz nga 24 vende. Dëshmitarët e Jehovait shfrytëzuan këtë mundësi për të folur rreth Biblës me të pranishmit në këtë event. U vendosën më shumë se 120 stenda në 5 qytete të mëdha ku u zhvillua kampionati.
Në Abixhan, një burrë iu afrua stendës dhe shfaqi interes për broshurën Kur të vdes një njeri i dashur . . . Burri tha se kohët e fundit i kishte vdekur shoku i ngushtë. Kur vëllezërit i lexuan shkrimin ngushëllues të Gjonit 5:28, 29, u ndje shumë i inkurajuar. Prandaj e ftoi vëllanë tonë që të shkonte e ta takonte në shtëpi, e kështu ta vazhdonin atje bisedën.
Në një rast tjetër, u afrua te stendat shefi i policisë së Anjamës. U tha Dëshmitarëve se i pëlqente të lexonte botimet tona të bazuara në Bibël, sidomos ato që flasin për krijimin dhe origjinën e jetës. Edhe pse ishte shumë i zënë, ua dha numrin e telefonit vëllezërve, që ta kontaktonin.
Një mesoburrë iu afrua stendës në Abixhan dhe u tha vëllezërve se, kur ishte i ri, kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, por më vonë i kishte humbur kontaktet me kongregacionin. Përgjatë viteve kishte vërejtur kontrastin e thellë mes Dëshmitarëve të Jehovait dhe feve të tjera. Në veçanti i bënte përshtypje paqja dhe uniteti që ekziston mes Dëshmitarëve të Jehovait edhe kur ka trazira politike. Burri kërkoi të studionte Biblën dhe po e vazhdon në mënyrë të rregullt.
Jemi të kënaqur që vëllezërit e motrat në Bregun e Fildishtë patën këtë mundësi të jashtëzakonshme: t’u tregonin njerëzve nga kombe të ndryshme «gjërat madhështore të Perëndisë».—Veprat 2:11.