Kalo te përmbajtja

8 DHJETOR 2020
BULLGARI

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Bullgari

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendos në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Bullgari

Më 10 nëntor 2020, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) e dënoi qeverinë bullgare sepse kishte shkelur të drejtën e lirisë së fesë të vëllezërve tanë. Ky vendim i detyron autoritetet të mos e pengojnë më ndërtimin e Sallës së Mbretërisë në qytetin e Varnës. Ndërtimi i saj është pezulluar për më tepër se 10 vjet. Gjithashtu, GJEDNJ-ja urdhëroi Bullgarinë që t’i dëmshpërblejë vëllezërit me një shumë prej 9.600 eurosh (11.500 dollarë).

Kjo çështje kishte të bënte me ndërtimin e një Salle Mbretërie në një pronë që vëllezërit e kishin blerë në janar të 2006-s. Bashkia e Varnës dha lejen e ndërtimit në maj të vitit 2007 dhe vëllezërit filluan menjëherë punimet. Mirëpo në korrik të atij viti, kryetari i bashkisë e pezulloi ndërtimin, me pretendimin se kishin shkelur rregullat. Po atë muaj, përfaqësues të një partie politike nacionaliste të mirënjohur në Bullgari shkuan te kantieri i ndërtimit. Bashkë me një grup të madh njerëzish me postera, protestuan kundër ndërtimit të Sallës së Mbretërisë.

Sipas GJEDNJ-së, pas kësaj proteste, Bashkia e Varnës nxori një deklaratë publike duke shpifur për Dëshmitarët e Jehovait dhe «duke e mbështetur hapur këtë protestë». Kryebashkiaku e bëri të qartë mbështetjen për protestën edhe në deklaratat për median.

Edhe pse i kishin shprehur hapur paragjykimet e tyre, kryetari i bashkisë dhe zyrtarë të tjerë pohuan se po e bllokonin ndërtimin e Sallës për shkak të mosmarrëveshjeve për zbatimin e ligjit dhe jo për shkak të diskriminimit fetar.

Vëllezërit apeluan disa herë në gjykatat bullgare, ndër to edhe në Gjykatën e Lartë Administrative, por nuk patën sukses. Për njëfarë kohe, kongregacionit vendas iu desh të merrte një ambient me qira që të mbante mbledhjet.

GJEDNJ-ja gjykoi se veprimet e zyrtarëve ishin të pajustifikueshme. Ajo votoi 6 me 1 në favor të Dëshmitarëve të Jehovait, duke deklaruar se pezullimi i ndërtimit të Sallës së Mbretërisë nga Bashkia e Varnës ishte një shkelje e «të drejtës së lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë», e garantuar nga nenet 9 dhe 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vëllezërit tanë shpresojnë që zyrtarët e bashkisë ta vënë plotësisht në zbatim vendimin e GJEDNJ-së dhe t’u japin leje që të përfundojnë ndërtimin e këtij vendi për adhurim, i cili do të jetë në dobi të komunitetit dhe do t’i sjellë lavdi emrit të Jehovait në qytetin e Varnës. I jemi mirënjohës Jehovait për mbështetjen e tij që nuk dështon kurrë.—Psalmi 54:4.