Kalo te përmbajtja

Flasin për mesazhin e Biblës pranë një stende të lëvizshme në Sofje, Bullgari

14 SHKURT 2017
BULLGARI

A do ta mbrojnë lirinë fetare gjykatat bullgare?

A do ta mbrojnë lirinë fetare gjykatat bullgare?

Më 4 qershor 2016, në një rrugë të Burgasit, Nikolai Stojanovi po u ofronte falas kalimtarëve botime fetare të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të një stende të vogël literature. Rreth orës 19.00 kaloi policia dhe e akuzoi se po shkelte një urdhër të bashkisë, si dhe e gjobiti me 50 leva (27 dollarë amerikanë). Ai ishte një prej pesë Dëshmitarëve në Burgas që në periudhën maj-qershor u akuzuan dhe u gjobitën për veprimtari fetare paqësore.

Gjykatat vendosin se Këshillat e Qytetit kishin shpërfillur të drejtën e lirisë fetare

Nikolai dhe katër Dëshmitarët e tjerë i apeluan vendimet dhe gjobat. Vendimet që mori Gjykata Rajonale e Burgasit në tetor dhe në nëntor 2016, i shfajësuan Nikolain dhe Dëshmitarët e tjerë dhe ua anuluan gjobat.

Njëkohësisht Dëshmitarët e Jehovait e apeluan çështjen meqë për ta urdhri i bashkisë së Burgasit ishte antikushtetues. Më 12 tetor 2016 Gjykata Administrative e Burgasit vendosi se urdhri që synonte të kufizonte veprimtaritë fetare të Dëshmitarëve, shkelte kushtetutën e Bullgarisë dhe detyrimin e saj ndërkombëtar për të garantuar lirinë fetare.

Këshilli i Qytetit të Burgasit ishte tashmë në dijeni se masat kufizuese të Urdhrit për Ruajtjen e Rendit Publik shkelnin të drejtat e garantuara nga kushtetuta. Më 2013 një parti politike nacionaliste kishte propozuar disa amendamente me pretekstin se disa njerëz po ankoheshin për veprimtaritë fetare të Dëshmitarëve. Guvernatori i rrethit rishqyrtoi amendamentet dhe arriti në konkluzionin se ato ishin diskriminuese, si dhe nxori një urdhër që i shpallte antikushtetuese. Gjithsesi, guvernatori pasardhës anuloi urdhrin, dhe amendamentet u miratuan nga këshilli i qytetit. Avokati i popullit e paralajmëroi këshillin e qytetit se masat e reja ishin të jashtëligjshme, por ato mbetën në fuqi derisa i shfuqizoi Gjykata Rajonale e Burgasit.

Raste të ngjashme ndodhën edhe në Kjustendil ku këshilli i qytetit qëllimisht miratoi disa amendamente që kufizonin lirinë fetare dhe pastaj e urdhëroi policinë bashkiake të sigurohej për zbatimin e tyre. Gjykata Administrative e Kjustendilit anuloi gjashtë vendime dhe gjobat me një vlerë prej 800 levash (439 dollarë amerikanë) që u ishin dhënë Dëshmitarëve me pretekstin se këta të fundit kryenin veprimtari fetare të jashtëligjshme. Në një prej vendimeve ajo u shpreh: «Apeluesja është paditur për një veprim që në thelb s’është veçse e drejta e saj për të ushtruar lirinë e fesë të garantuar nga Kushtetuta dhe LVF-ja [Ligji për Veprimtaritë Fetare].» Më 24 qershor 2016 e njëjta gjykatë pranoi një kërkesë të paraqitur nga Dëshmitarë vendës dhe i shpalli amendamentet antikushtetuese. * Këshilli i Qytetit të Kjustendilit e ka apeluar vendimin në Gjykatën e Lartë.

Reagime të ndryshme rreth të drejtës për të shprehur bindjet fetare

Vitet e fundit të paktën 44 bashki në Bullgari kanë nxjerrë urdhra që të kufizojnë veprimtaritë e organizatave fetare të regjistruara ligjërisht. Kur autoritetet vendëse zbatojnë masat kufizuese, Dëshmitarët përballen me paralajmërime të shkruara, urdhra gjykate, gjoba, kërcënime e madje me dhunë. Për shembull, më 26 mars 2016 Marin Tsvetkovi, polic bashkie në qytetin e Vratsës, kërcënoi dy Dëshmitare se do të nxiste huliganët e futbollit që t’i sulmonin. Pastaj u konfiskoi dhe u dëmtoi disa botime.

Megjithatë, në vende të tjera në Bullgari zyrtarë mendjehapur dhe gjykatat e kanë mbrojtur lirinë fetare. Më 2 qershor 2016 tre zyrtarë iu afruan disa Dëshmitarëve të Jehovait që po përdornin një stendë të lëvizshme në Sofje dhe i pyetën nëse kishin leje për këtë punë vullnetare. Pasi shqyrtuan çështjen, zyrtarët konfirmuan se Kushtetuta e Bullgarisë garanton të drejtën për një veprimtari të tillë paqësore. Në Plovdiv, qyteti i dytë më i madh në vend, këshilli i qytetit ndaloi përpjekjet e një grupi politik për të ndryshuar Urdhrin për Ruajtjen e Rendit dhe të Sigurisë Publike që synonte ndalimin e fesë së Dëshmitarëve të Jehovait.

Çfarë do të bëhet me urdhrat e apeluar?

Dëshmitarët e Jehovait në Bullgari po ndërmarrin hapa t’i apelojnë të 44 urdhrat që synojnë të kufizojnë të drejtën kushtetuese për të folur për bindjet fetare. Krasimir Velevi, zëdhënës i zyrës kombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait në Sofje, u shpreh: «Dëshmitarët e Jehovait i shërbejnë komunitetit duke folur me të tjerët për problemet që i shqetësojnë dhe duke u dhënë përgjigje të kënaqshme nga Bibla. Shumë njerëz e mirëpresin mesazhin tonë. Ama në bashkitë që kanë miratuar masa kufizuese, vihemi në shënjestër ngaqë shpërndajmë botime falas e madje ngaqë shprehim publikisht bindjet tona fetare. Kur është e arsyeshme, e mbrojmë lirinë e çmuar të adhurimit, të cilën na e ka dhënë Perëndia.»

Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës që shumë zyrtarë të lartë dhe gjykata në Bullgari po veprojnë në mbrojtje të lirisë fetare prej së cilës nxjerr dobi e gjithë shoqëria. Koha do ta tregojë nëse edhe autoritete të tjera do të ndreqin urdhrat që kufizojnë veprimtaritë fetare në Bullgari.

^ par. 7 Bullgaria ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila garanton lirinë për të shprehur bindjet fetare ose besimin me anë të adhurimit, të mësimdhënies, të praktikimit dhe të riteve. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecies) kanë theksuar vazhdimisht se konventa i mbron Dëshmitarët e Jehovait kur mblidhen paqësisht për të adhuruar Perëndinë ose kur flasin me fqinjët për bindjet e tyre.