Kalo te përmbajtja

7 QERSHOR 2017
EGJIPT

«Mezi pres të hiqet ndalimi i padrejtë!»

«Mezi pres të hiqet ndalimi i padrejtë!»

Ehab Samiri, 52 vjeç, ka lindur dhe është rritur në Egjipt dhe është Dëshmitar i Jehovait. Z. Samir thotë se për shkak të kufizimeve që ka vendosur qeveria e Egjiptit ndaj adhurimit të tyre, shumica e Dëshmitarëve trajtohen «si të ishin kriminelë». Prandaj mori zemër kur lexoi një artikull në Internet që e përshkruante me realizëm situatën atje.

Artikulli që titullohej «Shkrim nga Dr. Rihama Atefi: Dëshmitarët e Jehovait», u botua më 19 gusht 2016, nga Shbab Misri, një portal lajmesh online në Egjipt. Dr. Atefi, docente në Universitetin e Kajros, si edhe gazetare, sfidoi mendimet e gabuara tejet të përhapura për Dëshmitarët në Egjipt. Ajo njeh personalisht disa Dëshmitarë të Jehovait dhe, pas shumë studimeve rreth tyre, tha: «Jam e bindur se ata janë të njerëzishëm dhe i respektojnë bindjet e të tjerëve.»

«Ata nxitin dashurinë dhe paqen»

Dr. Atefi tregoi se po e shkruante artikullin «për ata që nuk dinë asgjë për Dëshmitarët e Jehovait dhe për ata që i urrejnë ngaqë kanë dëgjuar informacione të pasakta». Në të përmblidheshin disa nga bindjet themelore të Dëshmitarëve. Gjithashtu përmendej se «në sitin e tyre, www.pr418.com, ka shumë hollësi».

Pas një vlerësimi objektiv të Dëshmitarëve të Jehovait, dr. Atefi pa një kontrast si nata me ditën me mendimet e përhapura për Dëshmitarët në Egjipt. Ajo tha: «Ata janë të ndaluar dhe nuk e kuptoj pse. Janë asnjanës në politikë. . . . . .  Ata nxitin dashurinë dhe paqen.» Dr. Atefi arsyetoi me lexuesit e saj: «A janë këto arsye të vlefshme për t’i ndaluar? Apo janë ndaluar ngaqë mësimet e tyre biblike ndryshojnë nga mësimet e kishës?»

«Mezi pres të hiqet ndalimi i padrejtë!»

Z. Samir i pëlqeu aq shumë artikulli për Dëshmitarët, sa u shty t’i shkruante një letër vlerësimi botuesit. Ai tha: «Kam lexuar shumë artikuj në media [në Egjipt] për Dëshmitarët e Jehovait, por vetëm pak flitnin pozitivisht për ta. Prandaj e përgëzoj dr. Rihama Atefin për guximin dhe sinqeritetin.» Portali i lajmeve online e botoi letrën e z. Samir më 11 dhjetor 2016.

Në letrën e tij, z. Samir tha se ishte i zhgënjyer për keqtrajtimin e pajustifikueshëm ndaj Dëshmitarëve dhe u shpreh se një nga shkaqet janë historitë e rreme që kanë përhapur klerikët e kishës. Ai tha edhe se historitë e shtrembëruara janë rrënja e trajtimit të ashpër që ka përjetuar edhe vetë. Më pas, pohoi: «Mënyra më e mirë për ta njohur dikë, është të flasësh vetë me të. Prandaj dua ta falënderoj dr. Rihama Atefin për shkrimin e saj.»

Z. Samir e mbylli letrën me një mendim që i buronte nga zemra: «Mezi pres të hiqet ndalimi i padrejtë i Dëshmitarëve të Jehovait, që të kemi mundësi ta praktikojmë lirisht besimin në vendin tonë.»

Perspektiva për liri fetare

Dekada më parë, Dëshmitarët e Jehovait në Egjipt e praktikonin lirisht besimin e tyre dhe ishin të regjistruar si fe. Gjithsesi, në vitin 1960 iu hoq statusi ligjor dhe iu mohuan shumë të drejta fetare dhe të drejta të tjera të njeriut që gëzojnë fe të ndryshme të krishtere në Egjipt.

Që prej asaj kohe, Dëshmitarët e Jehovait në Egjipt kanë vërtetuar se janë pjesëtarë të qetë e të arsyeshëm të shoqërisë; njerëz që «nxitin dashurinë dhe paqen» në çdo rrethanë, siç pranoi edhe dr. Atefi. Ashtu si z. Samir, edhe shumë të tjerë duan që Dëshmitarëve të mos u mohohen të drejtat themelore dhe të gëzojnë sërish liri fetare në Egjipt.