Kalo te përmbajtja

23 PRILL 2020
EKUADOR

Dëshmitarët në Ekuador predikojnë nga shtëpitë e tyre

Dëshmitarët në Ekuador predikojnë nga shtëpitë e tyre

Pavarësisht nga pandemia e COVID-19, vëllezërit dhe motrat anembanë botës po vazhdojnë veprën e predikimit. Lajmëtarët në Ekuador kanë pasur sukses në predikim, pasi kanë përdorur metoda të ndryshme për t’u dhënë lajmin e mirë njerëzve.

Në qytetin e Ambatos, një lajmëtare 7-vjeçare bashkë me të ëmën u dërguan një mesazh mësuesve të vajzës. Ndër të tjera shkruante: «Mirëmëngjes, mësuese! Po të shkruaj se dua të të jap një lajm të mirë. Sot kemi shumë vështirësi, por te Zbulesa 21:4, Bibla na tregon për një të ardhme më të bukur. Te ky linku do të gjesh edhe më shumë informacion.»

Një nga mësueset iu përgjigj: «Shumë faleminderit, të keqen mësuesja! Edhe pse je e vogël, fjalët e tua janë shumë të mençura.» Një tjetër mësuese e falënderoi dhe e pyeti nëse Libri im i tregimeve biblike disponohet në format elektronik. Ajo i tha se e kishte pasur librin, por ia kishte dhënë borxh një nxënëseje tjetër. Lajmëtarja e vogël i tregoi se mund ta shkarkonte librin nga siti jw.org.

Në qytetin e Kevedhos, një çift kërkoi në numrat e tyre të telefonit për persona që s’janë Dëshmitarë. Ata u dërguan këtë mesazh: «Jam një Dëshmitar i Jehovait. Për shkak të pandemisë që ka ndikuar jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë botën, nuk mund të predikojmë shtëpi më shtëpi. Ama do të kishim shumë qejf që të flisnim bashkë me anë të videokonferencës.»

Pjesa më e madhe pranoi. Një grua që nuk i kishte pranuar më parë Dëshmitarët, e falënderoi çiftin dhe i lavdëroi për iniciativën. Ajo u tregoi se ishte goxha e stresuar për shkak të situatës. Çifti i dërgoi në format elektronik revistën Zgjohuni! nr. 1 2020, që titullohet «Si të gjesh lehtësim nga stresi». Kur biseduan përsëri, gruaja i falënderoi për revistën dhe u tha se e kishte lexuar disa herë.

Joana, një motër që nuk dëgjon, jeton në provincën e Santo Domingo de los Saçilas. Ajo «shkroi» një letër nëpërmjet pikturave. a E fotografoi letrën dhe ua dërgoi disa personave që nuk dëgjojnë. Mes atyre që morën mesazhin ishte edhe një grua që dëgjonte. Menjëherë i shkroi një mesazh ku i bënte shumë pyetje. Meqë Joana nuk i kuptonte pyetjet, i kërkoi Rondës, një pioniereje që dëgjon, të ndiqte interesin.

Gruaja e interesuar i tregoi Rondës se i kishin bërë shumë përshtypje vizatimet e Joanës. Gjithashtu e pyeti nëse ka vargje të tjera në Bibël që flasin për ngjarjet që po ndodhin përreth botës. Ndaj, Ronda i lexoi Lukën 21:10, 11 dhe i dërgoi linqet e videove Pse i lejon Perëndia vuajtjet? dhe Pse e krijoi Perëndia tokën? Gruaja do që të vazhdojë bisedën.

Njësoj si apostulli Pavël që vazhdoi ‘të jepte dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë’ ndonëse ishte i burgosur, vëllezërit po shfrytëzojnë çdo mundësi për të predikuar, pavarësisht se nuk dalin dot nga shtëpitë.—Veprat 28:23.

a Për ata që nuk dëgjojnë, është e vështirë të kuptojnë materialet e shkruara. Prandaj disa lajmëtarë në fushën e gjuhës së shenjave bëjnë vizatime për të paraqitur ide në vend se të shkruajnë fjalë. Një nga teknikat e zakonshme që përdorin, quhet «skicë mendore», domethënë të përdorësh vizatime për të organizuar idetë ose konceptet.