7 SHTATOR 2021
EKUADOR
Gjykata Kushtetuese e Ekuadorit mbron të drejtën e lirisë së adhurimit të Dëshmitarëve të Jehovait
Më 24 gusht 2021, Dëshmitarët e Jehovait korrën një fitore ligjore historike në Ekuador. Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin dhe deklaroi se e drejta e lirisë së adhurimit ishte shkelur në komunitetin indigjen të San Huan de Ilumanit në provincën e Imbaburës. Ky vendim i gjykatës mbron të drejtën e lirisë së adhurimit për njerëzit në të gjithë Ekuadorin, sidomos të atyre që jetojnë në komunitete indigjene. Gjithashtu krijon një precedent që mund të përdoret edhe në shtete të tjera.
Në vitin 2014, udhëheqësit e komunitetit hynë me forcë në pronën e Dëshmitarëve të Jehovait për të ndaluar ndërtimin e një Salle Mbretërie. Përveç kësaj nuk i lejuan vëllezërit e motrat të mblidheshin së bashku për të adhuruar Perëndinë dhe për të predikuar shtëpi më shtëpi. Vëllezërit e çuan çështjen në gjykatë. Mirëpo, dy gjyqtarë vendës morën vendim kundër Dëshmitarëve të Jehovait me pretendimin se të drejtat e tyre kushtetuese nuk ishin shkelur.
Pasi vëllezërit bënë gjithçka kishin në dorë për ta zgjidhur çështjen në gjykatat lokale, e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, gjykata më e lartë në vend. Gjykata Kushtetuese shpalli se gjykatat më të ulëta kishin shkelur të drejtën ligjore të Dëshmitarëve për të adhuruar lirisht Perëndinë. Kjo gjykatë urdhëroi udhëheqësit e komunitetit dhe gjykatësit e përfshirë në çështje që të ndiqnin një kurs për tolerancën fetare dhe kulturore. Përveç kësaj i kërkoi udhëheqësve të komunitetit që të mbronin «bashkëjetesën e grupeve fetare dhe kulturave të ndryshme, e në veçanti (të mbronin) aktivitetet fetare» të Dëshmitarëve të Jehovait.
Filip Bramli, përgjegjësi i çështjeve ligjore i Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «E kuptojmë se të drejtat e indigjenëve shërbejnë si një strehë për të mbrojtur kulturat indigjene, por nuk do të ishte kurrë me vend ta përdornim këtë strehë si shpatë për të cenuar të drejtat themelore të asnjë nënshtetasi.»
Dëshmitarët e Jehovait në San Huan de Iluman i janë mirënjohës Gjykatës Kushtetuese për vendimin që mori.
Gëzojmë teksa shohim «dorën e Jehovait» kur vëllezërit e motrat nxjerrin dobi nga fitoret ligjore që mbrojnë lirinë e adhurimit.—Proverbat 21:1.