Kalo te përmbajtja

Vëlla Tesfazion Gebremajkëlli është në burg prej 11 vjetësh në Eritre

26 TETOR 2022
ERITRE

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare i bën thirrje Eritresë që të lirojë nga burgu Dëshmitarin 80-vjeçar

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare i bën thirrje Eritresë që të lirojë nga burgu Dëshmitarin 80-vjeçar

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF) ka shprehur shqetësimin për vëlla Tesfazion Gebremajkëllin, që gjendet në burg në Eritre prej më shumë se 11 vjetësh. Në sitin zyrtar të USCIRF-së thuhet se «jemi të shqetësuar për shëndetin e Gebremajkëllit brenda burgut, për shkak të moshës së tij të thyer, tani mbi 80 vjeç». Më 7 tetor 2022, komisioneri Frederik Dejvi i USCIRF-së kërkoi publikisht lirimin e vëlla Gebremajkëllit.

Autoritetet e arrestuan vëlla Gebremajkëllin më 20 korrik 2011, ndërsa po fliste me të tjerët për bindjet e tij. Edhe pse ka lindur në Eritre, ai nuk konsiderohet më nënshtetas, sepse qeveria u hoqi nënshtetësinë të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait në vitin 1994.

Vëlla Gebremajkëlli u bë Dëshmitar i Jehovait në janar të vitit 1971. E njohin si njeri të dashur, të mirë dhe familjar paqësor që i ndihmon komshinjtë e vet. Më 1974 u martua me Lemlemën, që po ashtu, është Dëshmitare e Jehovait. Ata kanë 4 fëmijë dhe 5 nipër e mbesa.

Motër Gebremajkëlli thotë: «Edhe pse jam në merak për shëndetin e tim shoqi në burg dhe më mungon dashuria e mbështetja e tij, e di se Jehovai do të kujdeset për të. E çmoj shumë besnikërinë dhe vendosmërinë e tij për të ruajtur integritetin. Kur mendoj thellë për Eklisiastiun 10:4, nxitem të ruaj qetësinë edhe tani që familja jonë po përballet me këto sfida.»

Eritreja i ka përndjekur vazhdimisht Dëshmitarët e Jehovait që nga viti 1991. Edhe pse 32 Dëshmitarë u liruan me kusht në periudhën dhjetor 2020—shkurt 2021, në burg janë akoma 20 vëllezër e motra. Të gjithë janë në burg pa afat. Meqë nuk mund ta mbrojnë veten në gjyq apo në mënyra të tjera, kjo do të thotë se mund të mbeten në burg gjithë jetën.

Organizata të rëndësishme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i kanë dënuar vazhdimisht shkeljet e të drejtave themelore nga Eritreja dhe i kanë kërkuar administratës atje të ndreqë situatën. Madje, në vitin 2016, Komisioni Hetimor i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Eritre deklaroi se autoritetet e Eritresë kanë kryer «krim kundër njerëzimit», duke përndjekur Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerët.

Fakti që vëlla Gebremajkëlli po mbahet në burg, dëshmon për politikën mizore të qeverisë ndaj Dëshmitarëve, madje edhe ndaj të moshuarve. Që nga viti 2011, 4 Dëshmitarë kanë vdekur në burg dhe 3 Dëshmitarë të moshuar vdiqën pasi u liruan, për shkak të kushteve të vështira që vuajtën në burg.

Zyrtarët e Eritresë i kanë hedhur poshtë kërkesat e Dëshmitarëve të Jehovait për ta shqyrtuar këtë çështje.

Lutemi për vëllezërit e motrat, të cilët janë në burg padrejtësisht. Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë t’i mbështetë.—Hebrenjve 13:3.