19 TETOR 2016
ERITRE
Ndërkombëtarët i kushtojnë vëmendje si kurrë më parë përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait në Eritre
Më shumë se kudo tjetër në botë, në Eritre Dëshmitarët e Jehovait po përjetojnë përndjekjen më të ashpër. Që kur Eritreja fitoi pavarësinë më 1993, Dëshmitarët janë burgosur, janë torturuar dhe janë shpërfillur vazhdimisht. Përndiqen sepse qëndrojnë asnjanës në çështjet politike dhe nuk pranojnë të ngrenë armë kundër të tjerëve.
Aktualisht atje mbahen në burg 54 Dëshmitarë të Jehovait. Gjatë 22 viteve të shkuara, përveç njërit, të gjithë janë burgosur pa akuza zyrtare e pa seancë gjyqësore. Tre Dëshmitarë mbahen në burg që nga viti 1994.
Rritet shqetësimi përreth botës
Që nga fillimi i përndjekjes, organizatat qeveritare dhe ato për të drejtat e njeriut e kanë dënuar keqtrajtimin e Eritresë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithsesi, kohët e fundit Komisioni Hetimor i të Drejtave të Njeriut në Eritre (COIE), nën mbikëqyrjen e OKB-së, u ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtarëve për situatën e vështirë të Dëshmitarëve. Në raportin e parë për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (HRC), në qershor 2015, COIE i kushtonte një pjesë të konsiderueshme trajtimit diskriminues dhe abuziv të Dëshmitarëve të Jehovait.
Më 21 qershor 2016 COIE-ja prezantoi raportin e dytë të detajuar për HRC-në. COIE-ja i bëri thirrje Eritresë «të respektojë lirinë e fesë ose të besimit» dhe «t’u japë fund arrestimeve arbitrare dhe burgosjes së individëve për shkak të bindjeve fetare, sidomos të atyre që janë pjesë e grupeve të caktuara fetare, si Dëshmitarët e Jehovait, . . . dhe t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë ata që janë burgosur padrejtësisht dhe arbitrarisht».
Në vendimet e saj, COIE-ja arriti në përfundimin se «përndjekja për arsye fetare dhe etnike» nga Eritreja bie në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe përbën «krim kundër njerëzimit». Komuniteti ndërkombëtar e konsideron këtë përndjekje si një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. COIE-ja do të paraqesë një raport të përditësuar me gojë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 27 tetor 2016.
A do t’i japë fund Eritreja trajtimit të padrejtë të Dëshmitarëve?
Dëshmitarët e Jehovait përreth botës janë thellësisht të shqetësuar për bashkëbesimtarët në Eritre. Ata i bëjnë thirrje me forcë qeverisë së Eritresë të mos i përndjekë më këta të krishterë të sinqertë dhe t’u japë mundësi të gëzojnë të drejtat e tyre themelore dhe të pamohueshme.