Kalo te përmbajtja

3 PRILL 2019
FILIPINE

Del Përkthimi Bota e Re në tre gjuhë në Filipine

Del Përkthimi Bota e Re në tre gjuhë në Filipine

Në mbledhjet speciale në janar të 2019-s, vëlla Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Biblën në gjuhët sebuane, tagaloge dhe uarai-uarai. Botimi në gjuhën sebuane u prezantua më 12 janar në Hoops Dome në qytetin Lapu-Lapu. Të nesërmen u prezantua botimi në gjuhën uarai-uarai në Qendrën Akademike Lejte, në Palo të ishullit Lejte. Më 20 janar u prezantua botimi në gjuhën tagaloge në Keson-Siti, në Sallën e Asambleve në Manilën Metropolitane.

Një familje që sapo ka marrë Biblën e rishikuar Përkthimi Bota e Re në gjuhën sebuane

Programet u transmetuan në qindra Salla Mbretërie dhe u shpërndanë më shumë 163.000 Bibla Përkthimi Bota e Re.

Vëlla Din Jaceku, që punon në zyrën e degës në Filipine, shpjegon: «Botimet në gjuhët sebuane dhe tagaloge janë rishikime të Përkthimit Bota e Re. Për secilin përkthim u deshën më shumë se 3 vjet. Deri tani në gjuhën uarai-uarai kishin vetëm Shkrimet e Krishtere Greke, ndaj ishte hera e parë që lexuesit po e merrnin të plotë Përkthimin Bota e Re. Për këtë projekt u deshën më tepër se 5 vjet.

Në Filipine, mbi 60 për qind e popullsisë flet gjuhët sebuane, tagaloge ose uarai-uarai. Këtu përfshihen gati 160.000 vëllezër e motra dhe më shumë se 197.000 studentë të Biblës. Gjithashtu, dhjetëra mijë filipinas që nuk jetojnë në vend, tani do të kenë mundësinë të përfitojnë nga të gjitha veçoritë e Përkthimit Bota e Re në këto gjuhë.

Pasi shkarkoi botimin e ri të Biblës, motër Donika Hansoi që ndjek mbledhjet në kongregacionin e gjuhës tagaloge në Shtetet e Bashkuara, tha: «Fjalët në përkthimin e rishikuar në gjuhën tagaloge janë kaq të thjeshta, të qarta dhe të lehta për t’u kuptuar. Ndihemi sikur Jehovai po flet direkt me ne dhe ajo që lexojmë në Bibël, na prek edhe më tepër.»

Deri më sot Dëshmitarët e Jehovait e kanë nxjerrë Përkthimin Bota e Re, të plotë ose pjesërisht në 179 gjuhë. I jemi mirënjohës Jehovait që na ka vënë në dispozicion përkthime të qarta të Fjalës së tij, si neve, edhe atyre që u japim mesazhin e Biblës.—Veprat 13:48.