Kalo te përmbajtja

Prilli i vitit 2024 shënon 75-vjetorin e botimit të Kullës së Rojës në gjuhët sebuane (majtas) dhe pangasinane (djathtas)

3 PRILL 2024
FILIPINE

Kulla e Rojës prej 75 vjetësh në gjuhët sebuane dhe pangasinane

Kulla e Rojës prej 75 vjetësh në gjuhët sebuane dhe pangasinane

Prilli i vitit 2024 shënon një moment historik për botimin e literaturës së bazuar në Bibël, në Filipine. 75 vjet më parë, në prill të 1949-s, për herë të parë Kulla e Rojës u përkthye në gjuhët sebuane dhe pangasinane.

Në Filipine, lajmi i mirë për Mbretërinë nisi të predikohej në fillim të vitit 1900. Në atë kohë, vëllezërit e motrat përdornin botime në gjuhën angleze në shërbim, por me kohë u bë e qartë se nevojiteshin botime në gjuhët vendëse. Duke nisur nga viti 1947, u bënë përpjekje për të përkthyer revistën Kulla e Rojëstagaloge, gjuha indigjene më e folur në Filipine. Pastaj, në fund të 1948-s, u morën masa që Kulla e Rojës të përkthehej edhe në gjuhët sebuane dhe pangasinane. Vetëm pak muaj më vonë, u shtypën kopjet e para të kësaj reviste.

Një kopje e shaptilografuar e Kullës së Rojës në gjuhën pangasinane e vitit 1949

Për 2 vjet me radhë, vëllezërit tanë në zyrën e degës përdorën një shaptilograf dore për të bërë kopje të revistës. Teksa kërkesa për revista rritej, shtypja e Kullës së Rojës në gjuhët sebuane dhe pangasinane i kaloi Selisë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, që asokohe ndodhej në Bruklin, Nju-Jork, SHBA. a

Vëlla Juan Landiço

Disa nga ata që ndihmuan me përkthimin e Kullës së Rojës në gjuhët sebuane dhe pangasinane reflektojnë për privilegjin e madh që patën të jepnin një dorë në veprën e përkthimit. Vëlla Juan Landiço, i cili punoi me skuadrën e përkthimit për gjuhën pangasinane në vitet 80, kujton: «Në fillim, Kulla e Rojës në gjuhën pangasinane dilte 6 muaj pas botimit në anglisht, për shkak të vonesave në përkthim. U emocionuam shumë kur, në vitin 1986, përparimi në metodat e përkthimit bëri të mundur që revistat në anglisht e në gjuhën pangasinane të dilnin në të njëjtën kohë. Ishte e qartë se fryma e shenjtë e Jehovait po drejtonte përpjekjet tona.»

Po kështu, motër Belen Kanjeti, e cila shërben në degën e Filipineve dhe ka ndihmuar në përkthimin e literaturës sonë në gjuhën sebuane prej 46 vjetësh, thotë: «Kur nisa të punoja si përkthyese, kishte shumë pak përkthyes, por goxha punë. Ndonjëherë ishte e vështirë. Kurse tani kemi një skuadër të stërvitur mirë dhe teknologji e mjete fantastike. E kam parë me sytë e mi si e ka kthyer Jehovai bakrin në ar dhe si siguron kujdesin më të mirë për shërbëtorët e tij.»

Pjesëtarë të skuadrave të përkthimit për gjuhën pangasinane (majtas) dhe sebuane (djathtas)

Gjuhën sebuane e flasin mbi 26 milionë veta në Filipine, përfshirë më shumë se 76.000 vëllezër e motra që shërbejnë në 1.150 kongregacione të kësaj gjuhe. Gjithashtu, mes thuajse 2 milionë njerëzve që flasin gjuhën pangasinane, ka rreth 6.000 vëllezër e motra që shërbejnë në 68 kongregacione të kësaj gjuhe. Aktualisht dega në Filipine kujdeset për përkthimin e literaturës sonë në 24 gjuhë. Kulla e Rojës botohet çdo muaj në 10 prej këtyre gjuhëve. Tani, për shtypjen e literaturës së bazuar në Bibël për gjuhët sebuane dhe pangasinane, kujdeset dega e Japonisë.

Falënderojmë Jehovain që ka bekuar këto përpjekje në fushën e përkthimit dhe që ka vënë në dispozicion njohurinë e Fjalës së tij për ata që flasin gjuhët sebuane dhe pangasinane e që janë të etur për të vërtetën!—Isaia 55:1.

a Sot, selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait ndodhet në Uoruik, Nju-Jork, SHBA.