30 GUSHT 2022
FILIPINE
Plot 75 vjet që lexuesit nxjerrin dobi nga Kulla e Rojës në gjuhën tagaloge
Më 1 shtator 2022 u mbushën plot 75 vjet që kur Kulla e Rojës u botua në gjuhën tagaloge. Kjo revistë, që fillimisht shtypej në rreth 600 kopje, tanimë shtypet në mbi 1,2 milion kopje për çdo numër. Ajo disponohet edhe në versionin elektronik në jw.org.
Lajmi i mirë mbërriti në Filipine në vitin 1908. Vepra e predikimit u organizua më mirë pas hapjes së zyrës së degës më 1924. Në fillim përdoreshin kryesisht botime në gjuhën angleze, por vëllezërit e panë të nevojshme që ato të përktheheshin edhe në gjuhën tagaloge.
Pas Luftës së Dytë Botërore, më 14 qershor 1947, në Filipine arritën misionarët e parë nga Galadi: Ërl Stjuarti, Viktor Uajti dhe Lorenso Alpike. Vëllai Stjuart, shërbëtori i degës i sapoemëruar, mori menjëherë masa që vëllezër të kualifikuar të nisnin përkthimin e Kullës së Rojës në gjuhën tagaloge. Në shtator të atij viti, vëllezërit filluan të shpërndanin 2 revista Kulla e Rojës çdo muaj.
Mjaft nga përkthyesit e parë duhej të punonin gjatë ditës për të mbajtur familjet dhe të përkthenin botimet deri natën vonë. Vëllai Hilarion Amores, një prej atyre përkthyesve, tha: «Na duhej të punonim edhe deri në 2 të mëngjesit. Por ndienim një lumturi të pamasë, sepse po ndihmonim që vëllezërve të mos u mungonte ushqimi besimforcues.»
Aktualisht, në Filipine ka 97.443 lajmëtarë që shërbejnë në 1.126 kongregacione të gjuhës tagaloge. Në vend ka rreth 76,5 milionë banorë që flasin gjuhën tagaloge. Ndërsa përreth botës ka mbi 115.000 lajmëtarë që flasin këtë gjuhë. Botimet në gjuhën tagaloge shpërndahen në shumë shtete dhe lexohen nga lajmëtarët që flasin këtë gjuhë dhe nga të interesuar kudo në botë.
I jemi tejet mirënjohës Jehovait, që me anë të organizatës së tij, u siguron ushqim besimforcues në gjuhën e nënës miliona njerëzve anembanë botës.—Mateu 24:45, 46.