Kalo te përmbajtja

Vëllezërit Elnatan Li (lart) dhe Izrael Avesi (poshtë) nga dega e Filipineve folën gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Gjuhën Amtare për vitin 2021

26 PRILL 2021
FILIPINE

Vlerësohet puna e përkthimit e Dëshmitarëve të Jehovait në Konferencën Ndërkombëtare për Gjuhën Amtare për vitin 2021 në Filipine

Vlerësohet puna e përkthimit e Dëshmitarëve të Jehovait në Konferencën Ndërkombëtare për Gjuhën Amtare për vitin 2021 në Filipine

Konferenca Ndërkombëtare për Gjuhën Amtare është një konferencë akademike që përfshin arsimtarë, politikanë, dijetarë dhe studiues nga 12 shtete. Ky event u mbajt nëpërmjet videokonferencës nga 21 shkurti deri më 20 mars 2021. Dr. Rikardo Ma. Nolasko nga Departamenti i Linguistikës në Universitetin e Filipineve në Diliman dhe drejtues i kësaj konference, ftoi disa përfaqësues të zyrës së degës në Filipine që të merrnin pjesë në këtë konferencë. Më 9 mars 2021, vëllezërit Elnatan Li dhe Izrael Avesi, të dy përkthyes, shpjeguan punën e përkthimit të Dëshmitarëve të Jehovait para një auditori me 320 veta të lidhur me videokonferencë.

Sipas dr. Rikardo Ma. Nolaskos, një anketë kombëtare në Filipine zbuloi se botimi më i lexuar, përveç teksteve shkollore, është Bibla. Ja pse, një nga sesionet e konferencës trajtonte temën: «Përkthimet e Biblës në gjuhët që fliten në Filipine.» Këtë temë e zhvilluan vëllezërit tanë.

Vëlla Avesi trajtoi temën «E saktë, e lehtë për t’u lexuar, apo të dyja bashkë? Gjuhët indigjene dhe vështirësitë e përkthimit të Biblës». Ai sqaroi se si përkthyesit e Biblës Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re (NWT) arritën të realizonin një përkthim të saktë dhe njëkohësisht që kuptohej lehtë. Vëlla Avesi i shpjegoi auditorit: «Meqë misioni kryesor i Dëshmitarëve të Jehovait është t’i arsimojnë njerëzit me njohurinë e Biblës, ata përpiqen ta vënë në dispozicion Biblën NWT edhe në gjuhët që flasin pakicat kombëtare. Këtë Bibël mund ta gjeni në format elektronik online ose ta siguroni nëpërmjet kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait. Kështu mund ta gjykoni vetë sa mirë ia kanë dalë përkthyesit të realizojnë një përkthim të saktë dhe të rrjedhshëm të Fjalës së Perëndisë.»

Gjatë pjesës me temë «Mblidhen njerëz nga çdo komb e gjuhë: nisma e përkthimit e Dëshmitarëve të Jehovait nuk njeh kufij», vëllai Li analizoi shtrirjen e punës së përkthimit që realizojnë Dëshmitarët e Jehovait. Ai shpjegoi se në këtë nismë janë përfshirë më shumë se 6.000 përkthyes dhe vullnetarë të tjerë. Veç kësaj, përshkroi historinë e veprës sonë të përkthimit që nga fazat e saj të hershme në fund të viteve 1800 e deri në ditët tona kur kjo vepër ka marrë hov të jashtëzakonshëm. Ai theksoi se jw.org—siti më i përkthyer në botë—arriti rekord në nëntor të 2019-s, kur numri i gjuhëve në të cilat ky sit përmban informacione, kapi shifrën 1.000.

Në fund të pjesës së tij, vëllai Li tha: «Ata që përkthejnë për botimet e Dëshmitarëve të Jehovait e konsiderojnë punën e tyre si një shërbim të rëndësishëm për publikun, me synimin për të realizuar përkthime që mund t’i kuptojë kollaj çdo njeri në çdo cep të botës dhe që mund të informojnë e t’u japin zemër lexuesve.»

Jemi të lumtur që na u dha mundësia t’u tregonim të tjerëve për punën tonë të përkthimit. Sot është më e dukshme se kurrë që lajmi i mirë po i shpallet «çdo kombi, fisi [dhe] gjuhe».—Zbulesa 14:6.