Kalo te përmbajtja

14 JANAR 2013
FILIPINE

Tajfuni Bofa rrënon Filipinet

Tajfuni Bofa rrënon Filipinet

MANILË, Filipine—Mbi 1.000 veta u vranë dhe më tepër se 970.000 mbetën të pastrehë pas një tajfuni të fuqishëm që solli shkatërrim anekënd Filipineve të martën, më 4 dhjetor 2012. Ka kaluar një muaj dhe Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë t’u sigurojnë ndihmë viktimave të tajfunit Bofa (vendësit e njohin me emrin Pablo).

Më 7 janar, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Manilë konfirmoi se, mjerisht, pesë Dëshmitarë vdiqën nga stuhia. Një tjetër u shtrua në spital, ngaqë ishte dëmtuar rëndë në shtyllën kurrizore. Përveç kësaj, rreth 520 familje Dëshmitarësh mbetën pa strehë, pasi 140 shtëpi u shkatërruan dhe 400 u dëmtuan.

Përfaqësues nga zyra e degës shkuan personalisht në zonat e prekura nga tajfuni për të vlerësuar dëmet, për të organizuar ndihmat dhe për t’i inkurajuar e ngushëlluar me Shkrime të mbijetuarit. Dëshmitarët krijuan një komitet ndihme në rast katastrofe që të organizonte shtatë qendra ndihme dhe të ndihmonte vullnetarët vendës me shpërndarjen e ndihmave.

Në disa pjesë të vendit, stuhia fshiu tej burime të mëdha ushqimi dhe të ardhurash, përfshirë orizore, plantacione bananesh dhe pemë arrë kokosi. Për të ndihmuar, komiteti i ndihmës në rast katastrofe i Dëshmitarëve, dërgoi kamionë me gati 13.000 kg ndihma ushqimore. Megjithatë ishte pothuajse e pamundur të dërgoheshin ndihma në një zonë të prekur nga stuhia, ngaqë ishte shkatërruar një urë.

Tajfuni Bofa dëmtoi edhe 15 shtëpi adhurimi, të quajtura Salla Mbretërie, kurse 2 të tjera i shkatërroi. Sidoqoftë, disa të pastrehë i strehuan në Sallat e Mbretërisë që nuk ishin dëmtuar. Komiteti i ndihmës po punon që t’u sigurojë viktimave shtëpi më të përshtatshme.

Të gjitha ndihmat po financohen nga kontributet e Dëshmitarëve të Jehovait vendës dhe ndërkombëtarë, të cilët janë më të shumtë në numër. Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait kujdeset për këto shpenzime, duke përdorur fondet e dhuruara për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve.

Dean Jacek, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Filipine, tha: «Të gjithë po vajtojmë humbjen e miqve dhe të bashkadhuruesve e na trishtojnë dëmet e stuhisë. Por do të vazhdojmë të ndihmojmë me aq sa mundemi, ndër të tjera duke i ngushëlluar nga Perëndia.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Filipine: Dean Jacek, tel. +63 2 411 6090