Kalo te përmbajtja

14 NËNTOR 2013
FILIPINE

Supertajfuni Haiyan bën kërdinë në Filipinet Qendrore

Supertajfuni Haiyan bën kërdinë në Filipinet Qendrore

MANILA, Filipine​—Supertajfuni Haiyan (që në Filipine quhet Yolanda), një nga stuhitë më të fuqishme që ka goditur tokën, bëri kërdinë mes për mes Filipineve më 8 nëntor 2013.

Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Filipine që ndodhet në Manila, raportoi se, deri më 13 nëntor 2013, janë konfirmuar të vdekur 27 Dëshmitarë. Mbi 100 shtëpi të Dëshmitarëve dhe pesë vende adhurimi janë shkatërruar.

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait po koordinon nga selia botërore në Bruklin, Nju-Jork, dhënien e ndihmës në rang ndërkombëtar për katastrofën. Si pjesë e këtyre masave, zyra e degës në Filipine vazhdon të shpërndajë ushqim, ujë, ilaçe dhe furnizime të tjera në zonat e prekura. Deri të dielën, më 10 nëntor, u dërguan rreth dhjetë furgonë plot me ndihma. Ditën pasuese u dërguan disa kamionë të tjerë.

Ky rajon s’pati shumë kohë të merrte veten nga tërmeti 7,2 ballësh sipas shkallës Rihter që tronditi Filipinet më 15 tetor 2013 dhe u mori jetën 218 personave. Sipas raporteve, tërmeti masiv u mori jetën tre Dëshmitarëve të Jehovait; një vdiq nga rrëshqitja e dheut dhe dy nga shembja e shtëpive të tyre. Tërmeti ra pak pas tajfunit Nari, i cili goditi Filipinet më 12 tetor 2013 duke vrarë të paktën 13 veta.

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait kujdeset për shpenzimet e kësaj ndihme duke përdorur fondet e dhuruara për veprën e tyre mbarëbotërore. Gjithashtu, Trupi Udhëheqës vlerëson sa nevojë ka për vullnetarë të aftë dhe bashkëpunon me zyrat e degëve në mbarë botën për të siguruar personel të kualifikuar për dhënien e ndihmës në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe organizata të tjera.

Dean Jacek, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Filipine, tha: «Të gjithë jemi tepër të pikëlluar për jetët e shumta që kanë marrë katastrofat e kohëve të fundit. Ka një nevojë të stërmadhe për ngushëllim duke pasur parasysh shkatërrimin dhe traumën që përjetojnë të prekurit. Ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për të ndihmuar miqtë e fqinjët dhe për t’u dhënë inkurajim nga Shkrimet e Shenjta.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Filipine: Dean Jacek, tel. +63 2 411 6090