15 JANAR 2013
FIXHI
Cikloni tropikal Evan godet ishujt e Paqësorit Jugor
Suva, FIXHI—Në mes të dhjetorit 2012, një ciklon tropikal i kategorisë 4 bëri kërdinë anekënd Fixhit dhe Samoas. I përshkruar si një nga ciklonet më të forta që goditën Fixhin gjatë 70 viteve të fundit, cikloni Evan la pa strehë mijëra veta dhe dëmtoi infrastrukturën. Një komentues tha se dëmet në Samoa janë të ngjashme me ato që shkaktoi tsunami kataklizmik i vitit 2009.
Mes Dëshmitarëve të Jehovait nuk raportohet asnjë vdekje ose plagosje. Megjithatë, cikloni dëmtoi shumë shtëpi të Dëshmitarëve. Vlerësimet fillestare tregojnë se në Fixhi janë shkatërruar ose dëmtuar mbi 80 shtëpi të Dëshmitarëve. Ndërsa në ishullin samoan Upolu, 47 Dëshmitarë mbetën të pastrehë nga stuhia.
Në Samoa, viktimave pa strehë iu dha strehim i përkohshëm në shtëpitë e adhurimit që përdorin Dëshmitarët e Jehovait atje, si edhe në shtëpitë e Dëshmitarëve. Ndihma të tjera në Samoa janë organizuar nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. Kurse më 18 dhjetor, u shpërndanë ushqime dhe mjete për higjienën mes katër kongregacioneve vendëse dhe një zyrë përkthimi e Dëshmitarëve të Jehovait u përdor si burim i sigurt uji. Gjithashtu, një ekip Dëshmitarësh me përpjekje riparuan shtëpitë e dëmtuara dhe dezinfektuan e hoqën ujin nga shtëpitë e tejmbushura me ujë e baltë. Në Fixhi, Dëshmitarët vullnetarë të komiteteve të ndihmës në rast katastrofe u kujdesën për nevojat e ngutshme të viktimave. Këto komitete po kujdesen edhe për nevojat afatgjata të Dëshmitarëve të tjerë që u janë dëmtuar të mbjellat nga stuhia.
Tevita Sadole, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Fixhi për mediat, tha: «Pasojat e kësaj katastrofe na kanë vënë mjaft punë përpara, por jemi optimistë. Mezi presim të ndihmojmë bashkëbesimtarët dhe të tjerët.»
Zëdhënësi për mediat:
Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000
Australi: Donald MacLean, tel. +61 2 9829 5600
Fixhi: Tevita Sadole, tel. +679 330 4766