6 GUSHT 2019
FRANCË
Zyra e degës në Francë hap një muze të ri për Biblën
Më 25 korrik 2019 u hap një muze i ri për Biblën në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Francë, në qytetin e Luvjesë, rreth 100 kilometra nga Parisi. Tema është «Emri hyjnor dhe Bibla në frëngjisht».
Në muze janë paraqitur mjaft Bibla të rralla e të rëndësishme në gjuhën frënge. Ndër më të rëndësishmet është një Bibël origjinale e vitit 1535 e përkthyer nga Olivetani, që njihet edhe si «La Bible de Serrières». Ky është përkthimi i parë i plotë protestant i Biblës në frëngjisht. Gjithashtu është Bibla e parë në frëngjisht e përkthyer nga gjuhët origjinale. Ajo ka ndikuar jashtë mase te përkthimet e mëvonshme të Biblës, ku futet edhe Bibla e Mateut në anglisht, më 1537, Bibla e Gjenevës në anglisht dhe Bibla e Gjenevës në frëngjisht. Janë paraqitur edhe Bibla të tjera të rralla origjinale, si botimi i tretë i Biblës në frëngjisht nga Zhak Lëfevrë d’Etaplë më 1541; Pentateuku Latin i vitit 1541 dhe Bibla Latine e vitit 1545, të botuara nga tipografi nga Parisi, Rober Estieni, si dhe Bibla Franceze e vitit 1557 nga tipografi nga Lioni, Zhan de Tërni.
Bibla e Olivetanit, Pentateuku Latin dhe Bibla Latine e Estienit, si dhe Bibla e Zhan de Tërnit, të gjitha përmbajnë emrin hyjnor, Jehova. Fillimisht këto Bibla u ishin dhuruar Repartit të Muzeve pranë selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork. Tani i shtohen koleksionit të Biblave në zyrën e degës në Francë.
Enrik Fordi nga Reparti i Muzeve, komenton: «Ky muze i ri për Biblën në zyrën tonë në Francë flet për historinë interesante dhe tërheqëse të Biblës në gjuhën frënge. Përveç kësaj thekson vendin e padiskutueshëm që ka emri i Perëndisë, Jehova, në Bibël. Vazhdojmë të kërkojmë për Bibla të rralla dhe të veçanta, që t’i ekspozojmë nëpër muzetë tona anekënd botës.»