Kalo te përmbajtja

5 SHKURT 2015
FRANCË

Gjykata më e lartë administrative në Francë i jep fund diskriminimit

Gjykata më e lartë administrative në Francë i jep fund diskriminimit

Pas takimit me ju, jam i lumtur dhe këndoj nën zë. Vizita juaj më qetëson dhe studimi i Biblës më jep qëllim në jetë.

Dua t’ju falënderoj për çfarë keni bërë nga ana ligjore, administrative dhe shpirtërore për t’i bërë të mundura këto vizita.

Këto vizita janë përgjigje e lutjeve të mia.

Fjalë të tilla nga të burgosur në Francë shprehin çmueshmërinë për ndihmën shpirtërore që u jep një Dëshmitar i Jehovait.

Më 16 tetor 2013, gjykata më e lartë administrative në Francë mori një vendim që i dha fund një periudhe diskriminimi kundër Dëshmitarëve të Jehovait atje. Falë vendimit të gjykatës, Dëshmitarët e Jehovait mund të hyjnë në burgje si mësues fetarë të certifikuar që t’u japin ndihmë shpirtërore të burgosurve që kërkojnë vizitë. *

Dëshmitarëve nuk u jepen certifikatat si mësues fetarë

Për shumë vjet, autoritetet e burgut i lejonin Dëshmitarët t’u bënin vizita të burgosurve që t’u ofronin udhëheqje dhe këshilla shpirtërore, ndonëse nuk kishin një certifikatë që i njihte zyrtarisht si mësues fetarë. Kjo nisi të ndryshonte më 1995 pasi një komision parlamentar nxori një raport të debatueshëm që përmbante një listë me të ashtuquajtura sekte të rrezikshme ku përfshiheshin edhe Dëshmitarët e Jehovait. Ky klasifikim negativ, jo vetëm sulmoi imazhin e Dëshmitarëve, por edhe solli një valë diskriminimi kundër tyre. Kjo u vërejt në sistemin e burgjeve.

Megjithëse raportet parlamentare nuk kanë forcë ligjore, disa administrata burgjesh e përdorën raportin e vitit 1995 si bazë për të kufizuar takimin e mësuesve Dëshmitarë me të burgosurit që kishin kërkuar ndihmë shpirtërore. Një Dëshmitar mund t’i vizitonte të burgosurit siç parashikon ligji për qytetarët e zakonshëm, por jo në rolin e tij si mësues. Ai nuk lejohej më të merrte Biblën ose literaturë fetare. Të gjitha takimet duheshin bërë në dhomën publike të vizitave në një atmosferë që nuk nxiste aspak biseda shpirtërore. Një Dëshmitar tha se atmosfera në dhomën e vizitave «ishte si në një stacion treni, me po kaq zhurmë». Në disa burgje kërkohej që pas vizitës t’i zhvishnin të burgosurit për t’i kontrolluar, meqë nuk kishin qenë me një mësues fetar të certifikuar nga qeveria.

Në përpjekje për të fituar po ato të drejta si mësuesit e feve të tjera, më 2003 mësuesit Dëshmitarë nisën të aplikonin për certifikata ligjore pranë Administratës Franceze të Burgjeve. Të gjitha kërkesat iu mohuan në mënyrë kategorike. Dëshmitarët i apeluan këto refuzime arbitrare dhe diskriminuese pranë një autoriteti më të lartë administrativ, por përsëri ua mohuan. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, arsyeja për refuzimin e kërkesave të Dëshmitarëve si mësues të certifikuar ishte se ata nuk përfshiheshin në listën e feve të autorizuara për të hyrë në burgje. Gjithashtu, ministria shprehu shqetësimin se po t’i jepnin certifikatën si mësues një Dëshmitari të Jehovait, kjo do t’i nxiste edhe minoritetet e tjera fetare të kërkonin të njëjtën gjë. Pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta zgjidhur çështjen pranë Ministrisë së Drejtësisë, Dëshmitarët s’kishin rrugë tjetër veçse ta çonin në gjykatë.

Qeveria nuk pranon t’i japë fund diskriminimit

Më 2006, Dëshmitarët e Jehovait iu drejtuan gjykatave për të anuluar refuzimet dhe për të urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë që t’u jepte certifikata mësuesve Dëshmitarë. Çdo gjykatë administrative dhe apeli që shqyrtoi çështjen deklaroi se refuzimet e qeverisë ishin të paligjshme. Për më tepër, më 2010, Autoriteti më i Lartë Francez për Luftën kundër Diskriminimit dhe për Barazi denoncoi qëndrimin e qeverisë dhe rekomandoi që Ministria e Drejtësisë t’i jepte fund diskriminimit.

Qeveria franceze jo vetëm e shpërfilli këtë paralajmërim dhe vendimet e gjykatave, por edhe apeloi pranë Këshillit të Shtetit, gjykata më e lartë administrative në Francë.

Vendim historik në favor të Dëshmitarëve të Jehovait

Më 2013, çështjet e Dëshmitarëve iu paraqitën Këshillit të Shtetit, i cili mori në shqyrtim nëntë çështje të ngjashme së bashku. Në vendimin e saj, më 16 tetor 2013, kjo gjykatë hodhi poshtë apelimet e qeverisë franceze. Ajo deklaroi se për të respektuar të drejtat e të burgosurve, Administrata e Burgjeve duhet që, «sapo të bëjnë kërkesë, të pajisë me certifikatë një numër të mjaftueshëm mësuesish fetarë, me të vetmin kusht që të respektohen rregullat e sigurisë dhe të rendit në burg». Më tej, duke iu referuar Kushtetutës së Francës dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Këshilli i Shtetit deklaroi se «liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë e të burgosurve është e garantuar dhe se ata mund të praktikojnë fenë që zgjedhin». Si rezultat i këtij vendimi, deri më sot, në Francë dhe në vendet nën juridiksionin e saj, janë lëshuar 105 certifikata për mësues fetarë. Kështu Dëshmitarët e Jehovait mund t’u bëjnë vizita baritore të burgosurve.

Në janar të 2014-s, Administrata Franceze e Burgjeve i dha një Dëshmitari të Jehovait, Jean-Marc Fourcault, autorizim mbarëkombëtar si mësues fetar. Në këtë rol, z. Fourcault ka leje të hyjë në të gjitha burgjet e Francës. Po ashtu, është i autorizuar të veprojë si përfaqësues i Dëshmitarëve të Jehovait para Administratës së Burgjeve. Z. Fourcault thotë: «Që tani e tutje, ashtu si përfaqësuesit e feve të tjera të autorizuara, mësuesit fetarë Dëshmitarë të Jehovait do të mund të takojnë të burgosurit privatisht dhe në vende dinjitoze e të përshtatshme, ndonjëherë edhe brenda qelisë.»

Ky vendim është një fitore e rëndësishme për lirinë e fesë në Francë. Ai ripohon se të burgosurit kanë të drejtën të praktikojnë fenë që duan dhe t’i vizitojë një mësues fetar që zgjedhin vetë. Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës që gjykatat franceze i dhanë fund këtij diskriminimi, duke shënuar një hap tjetër përpara drejt njohjes së Dëshmitarëve të Jehovait si fe në Francë.

^ par. 6 Disa të burgosur bëhen Dëshmitarë të Jehovait pasi kontaktohen prej tyre ndërsa janë në burg. Të tjerë, ose mund të kenë pasur më përpara kontakt me Dëshmitarët, ose janë rritur në familje Dëshmitarësh para se të kryenin ndonjë vepër penale dhe tani kërkojnë të rikthehen në kongregacion. Pavarësisht nga arsyeja pse kërkojnë t’i vizitojë një Dëshmitar i Jehovait në burg, këtyre individëve u takojnë të njëjtat liri fetare që u jepen edhe të burgosurve të besimeve të tjera.