Kalo te përmbajtja

Lart majtas: një përfaqësues i zyrës së degës në Ganë shpjegon një pjesë të ekspozitës. Poshtë majtas: pamje nga jashtë e Muzeut Kombëtar të Ganës në Akrë. Djathtas: ekspozime të materialeve të ndryshme

19 QERSHOR 2024
GANË

Ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Ganës vepra e përkthimit e Dëshmitarëve të Jehovait

Ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Ganës vepra e përkthimit e Dëshmitarëve të Jehovait

Nga data 11 prill deri më 11 qershor 2024, Muzeu Kombëtar i Ganës që ndodhet në Akrë, hapi një ekspozitë speciale të titulluar «Promovojnë alfabetizmin dhe arsimimin nga Bibla në gjuhët amtare të Ganës». Më shumë se 1.300 veta vizituan ekspozitën.

Më 1937, në Ganë, që asokohe njihej si Bregu i Artë, Dëshmitarët e Jehovait filluan të përkthenin botime që bazoheshin në Bibël. Sot dega e Ganës përkthen literaturë në 12 gjuhë ganeze. Në ekspozitë mund të shikoje video, botime dhe objekte që i ndihmonin njerëzit të kuptonin këtë histori të gjatë përkthimi të Dëshmitarëve të Jehovait në Ganë. Gjithashtu ajo shpjegonte sa kollaj mund të gjeje dhe të përdorje materiale të përkthyera në jw.org.

Muzeu Kombëtar i Ganës dhe një skuadër me 4 profesorë të Universitetit të Ganës punuan bashkë me degën për krijimin e kësaj ekspozite. Meqë vetë qeveria ganeze kërkon të përmirësojë programet e saj të arsimimit dhe të përkthimit, këta profesorë studiuan metodat e përkthimit që përdorin Dëshmitarët e Jehovait. Si pjesë e punës kërkimore, një nga profesorët, dr. Araba Osei-Tutu, vizitoi Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, SHBA. Gjithashtu skuadra e profesorëve vizitoi zyrën e degës në Ganë.

Majtas: dr. Araba Osei-Tutu gjatë fjalëve hapëse të ekspozitës. Djathtas: ekspozim i literaturës në gjuhët e shumta ganeze

Në fjalët hapëse të ekspozitës, dr. Osei-Tutu tha: «Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur shumë t’u mësojnë njerëzve të lexojnë e të shkruajnë, sidomos në gjuhët tona. . . . Marrim shkas që . . . mirënjohjen tonë ta shprehim për këdo që është përfshirë në këtë vepër.»

Pasi vizitoi ekspozitën, profesor Jau Seki-Baidu i Universitetit të Arsimimit, Uinëba vërejti: «Gjithnjë i kam parë Dëshmitarët e Jehovait si mësues, por jam pa fjalë nga shtrirja e veprës së tyre të përkthimit.»

Profesorë nga Universiteti i Ganës, staf i Muzeut Kombëtar të Ganës dhe profesorë të tjerë duke dalë në fotografi me disa vëllezër e motra që ndihmuan për ekspozitën

Një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Ganë, tha: «Është inkurajuese të shikosh si populli i Jehovait vlerësohet nga një publik i gjerë për ndikimin pozitiv të arsimimit që kanë ofruar në komunitetet e tyre. Është e qartë se Jehovai po i bekon përpjekjet tona që njerëz të çdo lloji ta njohin atë.»—Gjoni 17:3.