27 NËNTOR 2019
GANË
Prezantohet Përkthimi Bota e Re në gjuhën nzema
Më 22 nëntor 2019, pas 4 vitesh punë, u prezantua botimi i plotë i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën nzema. Vëlla Samuel Kuesi, anëtar i Komitetit të Degës në Ganë, e prezantoi këtë Bibël para 3.051 vetave në kongresin rajonal në Bajue të Rajonit Perëndimor, Ganë.
Për këtë projekt punoi një skuadër me 7 përkthyes. Një prej tyre komentoi: «Përkthimi Bota e Re përdor një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë njerëzit, përfshirë të rinjtë. Patjetër që do t’i afrojë më shumë lexuesit me Atin e tyre qiellor, Jehovain.»
Lajmëtarët që flasin gjuhën nzema, më parë përdornin një Bibël të botuar nga Shoqata Biblike e Ganës. Gjithsesi, në këtë përkthim është hequr emri i Perëndisë dhe përkthimi është i vështirë për t’u kuptuar. Madje, ngaqë në Ganë Biblat janë të shtrenjta, jo të gjithë lajmëtarët e kishin një.
Në kontrast me këtë, Përkthimi Bota e Re në gjuhën nzema përmban emrin e Perëndisë, Jehova, përdor një gjuhë të qartë dhe është falas. Pa dyshim që ajo do t’u sjellë dobi 1.532 lajmëtarëve që u predikojnë rreth 330.000 vetave që flasin këtë gjuhë në territorin e degës në Ganë.
Jemi të sigurt që me këtë përkthim të ri vëllezërit dhe motrat do të gjejnë edhe më shumë kënaqësi «në ligjin e Jehovait».—Psalmi 1:1, 2.