Kalo te përmbajtja

14 TETOR 2014
GJEORGJI

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i kërkon Gjeorgjisë të respektojë ligjin

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i kërkon Gjeorgjisë të respektojë ligjin

Më 7 tetor 2014, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori një vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën e Gjeorgjisë në çështjen Begheluri dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë. Çështja iu paraqit kësaj gjykate mbi 12 vjet më parë dhe në të përfshiheshin 99 viktima, ndaj të cilëve është ushtruar dhunë fizike e verbale në 30 raste. Të gjithë ishin Dëshmitarë të Jehovait, përveç njërit. Gjithçka filloi kur policia ndërpreu me forcë disa mbledhje të mëdha fetare, e që atëherë është ushtruar dhunë për motive fetare ndaj Dëshmitarëve në shtëpitë e tyre, në salla gjyqi dhe në rrugë.

Në vendimin e saj, GJEDNJ-ja vërejti se autoriteteve hetimore u ishin paraqitur 160 denoncime ku deklarohej se disa prej këtyre sulmeve ishin kryer me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të forcave të rendit dhe të autoriteteve të tjera. Por, nga këto denoncime nuk u arrit asgjë konkrete. Ngaqë shkelësit e ligjit ia hodhën paq, morën zemër të kryenin edhe sulme të tjera.

8 shtator 2000: sulmi ndaj një asambleje fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Zugdidi

Për shembull, më 8 shtator 2000, rreth 700 Dëshmitarë u mblodhën për një asamble fetare në qytetin Zugdidi. Papritur, ia behu një skuadër e forcave speciale me maska që i vuri zjarrin strukturave të ngritura enkas për asamblenë dhe rrahu afro 50 nga të pranishmit. Ata e denoncuan menjëherë këtë akt. Megjithatë, autoritetet nuk pranuan t’i ndiqnin penalisht fajtorët, duke i lënë kështu viktimat e sulmit pa mbrojtje ligjore.

GJEDNJ-ja dënon indiferencën e autoriteteve

Ngaqë autoritetet ligjore nuk bënë hetime të menjëhershme e të efektshme dhe fajtorët nuk u dënuan, në vitin 2002 viktimat u ankuan bashkërisht pranë GJEDNJ-së.

Në vendimin e datës 7 tetor, GJEDNJ-ja pohonte se «autoritetet gjeorgjiane krijuan një klimë pandëshkueshmërie, e cila kohët e fundit i ka kontribuar sulmeve të tjera kundër Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin». Gjithashtu gjykata vërejti se sulmet e dhunshme «vinin nga një qëndrim paragjykues ndaj komunitetit të Dëshmitarëve të Jehovait» dhe se autoritetet policore shfaqën «të njëjtin qëndrim mendor diskriminues . . .  i cili vërtetoi se autoritetet më e pakta e kishin toleruar dhunën».

«Autoritetet gjeorgjiane krijuan një klimë pandëshkueshmërie, e cila kohët e fundit i ka kontribuar sulmeve të tjera kundër Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin.»

(Begheluri dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, nr. 28490/02, 7 tetor 2014, f. 40, p. 145)

Si pasojë, GJEDNJ-ja vendosi se autoritetet gjeorgjiane ishin fajtore për trajtim çnjerëzor ndaj 47 denoncuesve dhe se kishin diskriminuar e kishin shkelur lirinë fetare të 88 prej tyre. GJEDNJ-ja e urdhëroi qeverinë «t’i japë fund dhunës së konstatuar nga gjykata dhe të ndreqë pasojat» e indiferentizmit të saj dhe të ‘qëndrimit paragjykues’. Gjithashtu e gjobiti me më shumë se 45.000 euro për të kompensuar viktimat për dëmet morale dhe shpenzimet ligjore.

Përmirësohet situata për Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji

Ndonëse situata është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2004, Dëshmitarët në Gjeorgji vazhdojnë të përballen me sulme dhe ngacmime të herëpashershme. Në vitin 2013 u raportuan 53 raste dhune kundër Dëshmitarëve. Vendimi për çështjen Begheluri i detyron autoritetet gjeorgjiane të bëjnë hetime të menjëhershme dhe të efektshme për veprat kriminale të kryera ndaj shtetasve. Dëshmitarët e Jehovait presin që qeveria, pa pasur paragjykime ndaj tyre, të ndjekë penalisht dhe të ndëshkojë fajtorët e krimeve për motive fetare.