Kalo te përmbajtja

15 PRILL 2015
GJEORGJI

Dëshmitarët e Jehovait nisin një fushatë informuese në prill

Dëshmitarët e Jehovait nisin një fushatë informuese në prill

Më 1 prill 2015, Dëshmitarët e Jehovait nisën një fushatë informuese për të kontaktuar të gjitha rajonet e policisë, bashkitë dhe prokuroritë anembanë Republikës së Gjeorgjisë. Qëllimi i kësaj fushate është t’i sensibilizojë në lidhje me një vendim të fundit e domethënës të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për çështjen Begheluri dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë. Ky vendim kishte të bënte me shkeljen e të drejtave të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji. Fushata u siguron organeve që merren me zbatimin e ligjit informacione për faktet e kësaj çështjeje, për vendimin dhe për aktivitetet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.

Tolerimi i dhunës në të kaluarën në Gjeorgji

Nga viti 1999 deri më 2003, mbështetësit e një prifti ortodoks gjeorgjian, i hequr nga funksioni, organizuan turma njerëzish që të rrihnin egërsisht Dëshmitarët e Jehovait. Megjithëse Dëshmitarët parashtruan gjithsej 784 ankesa në polici për këto dhe për incidente të ngjashme, zyrtarët ose bënin një sy qorr ndaj dhunës, ose ndonjëherë ata vetë kryenin akte të dhunshme kundër Dëshmitarëve. Asnjë nga ankesat e Dëshmitarëve nuk solli ndonjë rezultat të dukshëm. Ngaqë autoritetet gjeorgjiane nuk vepronin, keqbërësit morën zemër gjithnjë e më shumë, madje duke i sulmuar fizikisht Dëshmitarët në salla gjyqesh, në kongrese fetare të mëdha dhe në rrugë.

Vendimet e GJEDNJ-së shënojnë një pikë kthese

Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji paraqitën dy kërkesa në GJEDNJ për shqyrtimin e këtyre sulmeve. Gjykata vendosi për rastin e parë në maj 2007 * dhe për rastin e dytë​—Begheluri dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë—​në tetor 2014. Në të dyja vendimet, GJEDNJ-ja dënoi përfshirjen e shtetit të Gjeorgjisë në sulme, duke bërë një lidhje të qartë midis indiferencës së shtetit dhe përshkallëzimit të dhunës. Siç vërejti GJEDNJ-ja në vendimin Begheluri, «autoritetet gjeorgjiane krijuan një klimë pandëshkueshmërie, e cila si përfundim nxiti sulme të tjera kundër Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin». *

Është për t’u lavdëruar që qeveria gjeorgjiane nxori një deklaratë një ditë pasi u njoftua vendimi Begheluri, me anë të së cilës zotohej se nuk do të lejonte abuzime të tilla në të ardhmen:

«Gjeorgjia është patundshmërisht e përkushtuar që të mbrojë lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, si edhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Vendi ynë është i vendosur të sigurojë barazi para ligjit dhe që kushdo të japë llogari për abuzimet ndaj të drejtave të njeriut. Në veçanti, kurrë nuk do të lejojë sërish një klimë pandëshkueshmërie ose tolerimi ndaj abuzimeve të tilla.»

Përmirësohet situata në Gjeorgji

Sot situata e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji është në kontrast të thellë me atë të viteve të mëparshme. Dëshmitarët mund të adhurojnë Zotin në paqe dhe janë mirënjohës që tani organet për zbatimin e ligjit u mbrojnë të drejtat. Dëshmitarët e Jehovait kanë mundur të ndërtojnë vende adhurimi dhe kohët e fundit e kanë zgjeruar selinë e tyre në atë rajon.

Sidoqoftë, disa zyrtarë nuk dinë shumë për Dëshmitarët e Jehovait ose për bindjet e tyre dhe ndoshta nuk dinë gjë për vendimin Begheluri ose për deklaratën zyrtare të qeverisë. Përveç kësaj, ndodhin ende sulme të motivuara nga arsye fetare, të cilat nuk ndëshkohen. Për shembull, më 2014, Dëshmitarët dokumentuan të paktën 30 sulme fizike kundër tyre. Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur kërkesa të tjera në GJEDNJ për të shqyrtuar këto çështje. *

Fushata e muajit prill për të informuar zyrtarët duhet ta përmirësojë më tej situatën për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut anembanë Gjeorgjisë. Dëshmitarët e Jehovait i janë mirënjohës qeverisë gjeorgjiane për zotimin e marrë që të mos lejojë kurrë sërish krijimin e një fryme pandëshkueshmërie, dhe ata presin që qeveria të mbetet e përkushtuar për të ndjekur penalisht ata që janë fajtorë për krime që nxiten nga urrejtja fetare.

^ par. 6 Pjesëtarë të kongregacionit Gldani të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, nr. 71156/01, 3 maj 2007.

^ par. 6 Begheluri dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, nr. 28490/02, § 145, 7 tetor 2014.

^ par. 11 Tsartsidze kundër Gjeorgjisë, nr. 18766/04, paraqitur më 26 maj 2004 — Disa individë u keqtrajtuan nga zyrtarë shtetërorë ose në praninë e tyre; Biblaia dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, nr. 37276/05, paraqitur më 10 shtator 2005 — Disa individë u keqtrajtuan nga zyrtarë shtetërorë ose në praninë e tyre; Tsulukidze dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, nr. 14797/11, paraqitur më 27 janar 2011 — Nuk hetuan mjaftueshëm dhe nuk ndoqën penalisht keqbërësit në nëntë sulme të motivuara nga arsye fetare.