Kalo te përmbajtja

22 QERSHOR 2015
GJEORGJI

Gjeorgjia pranon në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut se ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait

Gjeorgjia pranon në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut se ka shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka pranuar pohimin e fajit nga ana e qeverisë së Gjeorgjisë se ka ndërhyrë në të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për lirinë e fesë dhe lirinë për t’u organizuar kolektivisht. Çështja Unioni i Dëshmitarëve të Jehovait dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë kishte të bënte me një veprim të qeverisë për anulimin e regjistrimit të dy enteve ligjore të përdorura nga Dëshmitarët e Jehovait. Ky anulim solli një përshkallëzim të dhunës kundër Dëshmitarëve nga viti 2001 deri më 2004.

GJEDNJ-ja pranon pohimin e fajit nga ana e Gjeorgjisë

Në vendimin e saj të publikuar më 21 maj 2015 *, GJEDNJ-ja pohoi se në shtator 2014, qeveria paraqiti një deklaratë të njëanshme ku thoshte se «donte ta pranonte me keqardhje se kishte shkelur» të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait. Në deklaratë pranohej më tej se veprimi i Gjeorgjisë për të çregjistruar entet ligjore të Dëshmitarëve në vitin 2000 «ishte i pajustifikueshëm» dhe se mungesa e legjislacionit të duhur u hiqte këtyre enteve mundësinë për t’u regjistruar.

GJEDNJ-ja e pranoi pohimin e fajit nga ana e qeverisë si bazë të mjaftueshme për të mbyllur çështjen. GJEDNJ-ja vërejti se «qoftë duke ua mohuar regjistrimin grupeve të ndryshme fetare, qoftë duke anuluar regjistrimin e tyre, autoritetet përkatëse kishin ndërhyrë në të drejtën e organizatave aplikuese për lirinë e fesë dhe lirinë për t’u organizuar kolektivisht, duke shkelur nenin 11 të Konventës, të lexuar nën dritën e nenit 9». Qeveria ka pranuar të paguajë 6.000 euro për dëmet dhe shpenzimet.

Anulimi i regjistrimit të enteve ligjore sjell vite përndjekjeje

Dy entet, Unioni i Dëshmitarëve të Jehovait dhe Përfaqësia e Shoqatës Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania (SHBA) në Gjeorgji, u regjistruan ligjërisht më 1998. Mirëpo, një parlamentar ultranacionalist donte që Dëshmitarët e Jehovait të ndaloheshin në gjithë Gjeorgjinë. Disa udhëheqës fetarë ortodoksë dhe ekstremistë e mbështetën atë duke përhapur shpifje dhe duke nxitur dhunë kundër Dëshmitarëve.

Në prill 1999, parlamentari, si përfaqësues i partisë së tij, paraqiti një ankesë pranë Gjykatës Rajonale të Isanit në Tbilisi që të ndalonte Dëshmitarët e Jehovait dhe të anulonte regjistrimin e dy enteve të tyre ligjore. Kur nisi gjyqi në qershor 1999, brenda sallës kishte të pranishëm priftërinj ortodoksë dhe përkrahës të tyre. Jashtë sallës së gjyqit, një prift ortodoks i zhveshur nga detyra priftërore, Vasili Mkalavishvili, bashkë me ithtarët e vet dogjën publikisht literaturë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.

Pas shqyrtimit të provave, Gjykata e Qarkut Isani-Samgori i hodhi poshtë si të pabaza pretendimet e parlamentarit. Atëherë ai apeloi vendimin. Më 26 qershor 2000, dhoma e apelit vendosi në kundërshtim me gjykatën e shkallës së parë dhe urdhëroi që të anulohej regjistrimi i enteve ligjore të Dëshmitarëve. Pas vendimit, ekstremistë ortodoksë shfrytëzuan situatën duke organizuar një sërë sulmesh të dhunshme kundër Dëshmitarëve. Më 22 shkurt 2001, Gjykata e Lartë e Gjeorgjisë i mbështeti anulimet e apelit, duke pohuar se për shkak të mungesës së legjislacionit të nevojshëm nuk kishte alternativë tjetër veçse të vendoste kundër Dëshmitarëve. Meqë nuk gjetën asnjë rrugëzgjidhje brenda vendit, Dëshmitarët e Jehovait paraqitën kërkesë pranë GJEDNJ-së më 16 gusht 2001.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, përndjekja dhe dhuna kundër Dëshmitarëve u përshkallëzuan ndjeshëm, duke shkaktuar qindra sulme fizike. Në shumicën e rasteve, autoritetet për ruajtjen e rendit nuk arritën t’i mbronin Dëshmitarët dhe madje, në disa raste, morën pjesë në dhunën kundër tyre. Shumë Dëshmitarë u lënduan rëndë. Ekstremistë fetarë ndërprenë dhunshëm mbledhjet e tyre fetare, dogjën dhe plaçkitën shtëpitë e tyre, u vodhën ose u shkatërruan pronat personale dhe u dogjën literaturën fetare. Autoritetet u mohuan Dëshmitarëve lejen për të importuar literaturë dhe pastaj u konfiskuan botimet e importuara më parë. Gjithashtu, autoritetet nuk i lejuan Dëshmitarët të përdornin godina me qira për të mbajtur shërbesat fetare. Për shkak të intensitetit të përndjekjes dhe të refuzimit nga ana e qeverisë për të mbrojtur viktimat, Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji paraqitën kërkesa pranë GJEDNJ-së ku vinin në dukje keqtrajtimin e tyre dhe bashkëfajësinë e autoriteteve të ruajtjes së rendit. Në dy raste, GJEDNJ-ja ka vendosur tashmë në favor të Dëshmitarëve për këtë çështje. *

Ndërsa situata përmirësohej në Gjeorgji, Dëshmitarët mundën të regjistronin përsëri entet e tyre ligjore e si rrjedhim mund të kishin pronat e tyre dhe të kujdeseshin për interesat e tyre ligjore. Gjatë asaj kohe, autoritetet gjeorgjiane arrestuan dhe burgosën Mkalavishvilin, përgjegjësin kryesor të dhunës, si edhe disa përkrahës të tij. Përndjekja e egër ndaj Dëshmitarëve mori fund më 2004.

Situata e tanishme

Ndonëse trajtimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji është përmirësuar me kalimin e viteve, herë pas here ndaj aktiviteteve të tyre fetare ndërhyjnë ende. Një raport i kohëve të fundit që iu dorëzua Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë zbuloi se gjatë vitit kalendarik 2014, ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji u kryen 63 krime që nxiteshin nga urrejtja.

Majkëll Xhonsi, përfaqësues i Dëshmitarëve të Jehovait në vend, tha: «I jemi mirënjohës Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që njohu trajtimin e padrejtë të Dëshmitarëve në vitet e kaluara. Jemi të lumtur që shohim angazhimin e Gjeorgjisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shpresojmë që ky vendim i fundit, bashkë me vendime të tjera të favorshme nga Gjykata, të sjellë si rezultat një trajtim të drejtë, si edhe më shumë liri fetare për Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji.»

^ par. 4 GJEDNJ-ja vendosi për këtë çështje më 21 prill 2015, por vendimin e publikoi një muaj më vonë.

^ par. 10 Pjesëtarë të kongregacionit Gldani të Dëshmitarëve të Jehovait dhe të tjerë kundër Gjeorgjisë, nr. 71156/01, 3 maj 2007 dhe Begheluri kundër Gjeorgjisë, nr 28490/02, 7 tetor 2014.