19 SHTATOR 2023
GJERMANI
15 të rinj Dëshmitarë vlerësohen për projektin dedikuar Vilhelmina Poterit, viktimë e nazizmit
Më 6 korrik 2023, një grup me 15 Dëshmitarë të Jehovait në moshë të re nga qyteti i Kaselit, Gjermani, mori çmimin e parë për projektin e tyre që ia dedikuan shembullit të guximshëm të motër Vilhelmina Poterit, e cila vdiq për shkak të përndjekjes naziste.
Për të kujtuar ata që kanë humbur jetën për shkak të regjimit nazist, Fondacioni Stolpersteine ka vendosur në tokë monumente të vogla, si pllaka guri, në pika të ndryshme të qytetit të Kaselit. Mes tyre gjenden edhe emrat e Vilhelminës dhe të bashkëshortit të saj, Justus Poterit. Madje në fshatin e Nistetalit, pranë Kaselit, një rrugë mban emrin e Vilhelminës në nder të saj. Me rastin e 10-vjetorit të fondacionit, studentë të qytetit të Kaselit u ftuan që të tregonin historinë e një ose më shumë viktimave të nazizmit dhe të theksonin mësimet që kishin nxjerrë.
Një grup vëllezërish e motrash, të moshave 13 deri 23 vjeç, zgjodhën Vilhelminën për projektin e tyre. Ata realizuan një video 24-minutëshe për jetën e saj, me titull I bindej vetëm Perëndisë. Në video tregohej si e burgosën nazistët në vitin 1937 dhe si vdiq më 1942 në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut në moshën 49-vjeçare. Gjithashtu, studentët përgatitën postera të vegjël ku tregoheshin fotografi të letrave që Vilhelmina ia kishte shkruar të shoqit dhe familjes së saj kur ishte në burg. Këta postera u vendosën në stacionin e autobusit që ndodhet në rrugën që mban emrin e saj.
Në një nga letrat që i shkroi bashkëshortit, e datës 25 prill 1937, Vilhelmina thoshte: «I dashur Justus, u gëzova kur mora vesh se të dy ruajtëm qetësinë dhe besimin kur na shpallën dënimin. Tani e lëmë çdo gjë në dorë të Perëndisë, që të na prijë e të na drejtojë. Mbi të gjitha, i lutem të na forcojë besimin e të na japë fuqi fizike, që të mbajmë premtimin që i kemi bërë e të qëndrojmë besnikë deri në fund. Ai nuk do të lejojë kurrë të na bjerë një barrë më e rëndë se ajo që mund të mbajmë. Prandaj do të mbështetemi te Perëndia dhe Zotëria ynë me besim të fortë.» Lutjet e saj morën përgjigje, sepse të dy ata qëndruan besnikë deri në vdekje.
Në video, motër Aleksandra Altamajëri, 23 vjeçe, bënte këtë koment: «Vilhelmina dhe burri i saj e dinin se, po të ishe dishepull i Krishtit, do të hasje përndjekje. Ata pranuan t’i përndiqnin, t’i arrestonin e madje t’i vrisnin për shkak të besimit, të bindur se Perëndia nuk do t’i harronte.» Në këtë projekt ndihmoi edhe vëlla Ole Shroderi, 18 vjeç. Ai u shpreh: «Shembulli i motër Poterit më frymëzon. Besimi dhe besnikëria e saj ndaj Perëndisë, qëndrueshmëria dhe fakti që nuk e humbi gëzimin, e bëjnë një shembull të shkëlqyer për t’u imituar. Historia e saj më ka treguar sa e çmuar është miqësia me Perëndinë.»
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, videoja e plotë u shfaq para një auditori me 180 veta që përbëhej nga studentë, përfaqësues të shtypit, kryetari i bashkisë së qytetit, shefi i Departamentit të Kulturës dhe drejtori i shkollave të qarkut.
Njësoj si vëllezërit e motrat tona që morën pjesë në projekt, edhe ne marrim zemër dhe motivohemi nga besimi e guximi që treguan Justusi dhe Vilhelmina. Jemi të bindur se Jehovai nuk do t’i harrojë kurrë besnikët e tij.—Hebrenjve 6:10.