Kalo te përmbajtja

Motër Anamaria Kuserovi, në dokumentarin e vitit 1991 Trekëndëshat vjollcë, me disa nga mbi 1.000 pjesët e arkivit që përpiloi për të dokumentuar përndjekjen e familjes së saj gjatë regjimit nazist

27 DHJETOR 2022
GJERMANI

Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani hapin një çështje të re ligjore për arkivin e Anamari Kuserovit

Prova të zbuluara së fundmi vërtetojnë se arkivi i Anamarisë i përket Dëshmitarëve të Jehovait

Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani hapin një çështje të re ligjore për arkivin e Anamari Kuserovit

Siç është raportuar tashmë në jw.org dhe në The New York Times, Muzeu Historik Ushtarak i Bundesvehrit, në Dresden, Gjermani, nuk pranon të na dorëzojë arkivin e motër Anamari Kuserovit, duke mos respektuar kështu amanetin dhe testamentin e saj. Por kohët e fundit, janë zbuluar disa prova që janë në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo e ka shtyrë organizatën tonë të hapë një çështje të re ligjore kundër muzeut.

Për më se shtatë vjet, Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje miqësore me muzeun që të marrin arkivin, por më kot. Pastaj organizata e çoi çështjen në gjykatë. Është për të ardhur keq që në vitin 2021 çështja u mbyll, sepse, sipas gjykatës, muzeu e kishte blerë arkivin në mirëbesim.

Një thesar historik

Kur ishte 26 vjeçe, Anamaria nisi të përpilonte me shumë kujdes arkivin duke mbledhur materiale për Dëshmitarët e Jehovait gjatë Holokaustit. Ajo e ruajti për më se 65 vjet, madje ndonjëherë duke vënë në rrezik edhe jetën e saj, derisa vdiq më 2005. Arkivi që ruajti Anamaria për brezat e ardhshëm, e sidomos për bashkëbesimtarët, është vlerësuar në nivel ndërkombëtar si një thesar historik.

Anamaria e përgatiti arkivin, sepse donte me gjithë zemër që sa më shumë njerëz—Dëshmitarë të Jehovait ose jo—të vazhdonin të mësonin nga historia e besnikërisë e familjes së saj. Ja pse, ajo deklaroi se komuniteti fetar i Dëshmitarëve të Jehovait duhej të ishte trashëgimtari i vetëm i këtij arkivi. Amaneti i saj nuk është respektuar akoma.

Ajo bashkë me katër nga vëllezërit e motrat e saj, doli në dokumentarin britanik të vitit 1991 Trekëndëshat vjollcë. Ky dokumentar përqendrohej tek eksperiencat e familjes Kuserov që të shpjegonte si i kishin përndjekur nazistët Dëshmitarët e Jehovait, ngaqë këta nuk pranonin të hiqnin dorë nga besimi dhe t’i premtonin besnikëri Hitlerit. Anamaria del në këtë dokumentar me dokumentet dhe fotografitë e saj të çmuara.

Në një intervistë që dha pak para se të vdiste, Anamaria tregoi për një rast kur Gestapoja e arrestoi në apartamentin e saj dhe gati sa nuk humbi një pjesë të rëndësishme të arkivit. Ajo tha: «Kisha një çantë në korridor. Në pjesën e poshtme të saj kisha letra dhe të gjitha dokumentet e tjera.» Ajo e kishte mbushur këtë çantë të madhe me mollë, me shpresë që t’i shpërqendronte policët që të mos kontrollonin pjesën e poshtme. I thoshte vetes se, nëse plani i saj do të dështonte, ‘të paktën do të kishte diçka për të ngrënë në burg’. Sa mirë që plani i saj funksionoi!

Një shitje e paautorizuar

Pak kohë pasi Anamaria vdiq, arkivi u zhduk nga shtëpia e saj. Më vonë u zbulua se një nga vëllezërit e Anamarisë, që nuk ishte më Dëshmitar i Jehovait, ia kishte shitur arkivin muzeut. Anamaria nuk e kishte autorizuar kurrë vëllanë e saj ta bënte këtë. Tani ky person nuk jeton më.

Pjesëtarët e familjes Kuserov që janë ende gjallë, u shokuan kur gjykata vendosi në favor të muzeut për ta mbajtur arkivin, pasi e dinin fare mirë amanetin e Anamarisë. Që nga ajo kohë, familjarë, miq dhe Dëshmitarë të tjerë të Jehovait që u përndoqën nga nazistët, i kanë dërguar qindra letra muzeut dhe Ministrisë së Mbrojtjes, nën autoritetin e të cilin operon muzeu, duke u kërkuar që arkivi t’u kthehet Dëshmitarëve të Jehovait, siç dëshironte Anamaria.

Materiale unike

Ndër dokumentet më të rëndësishme në arkiv është një letër lamtumire nga vëllai i Anamarisë, Vilhelmi, i cili shkroi fjalët e fundit më 26 prill 1940. Si një Dëshmitar i Jehovait, ai nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Për këtë arsye, nazistët e dënuan me vdekje.

Në letrën e tij, Vilhelmi shkruante: «Të dashur prindër, vëllezër e motra: të gjithë ju e dini sa të rëndësishëm jeni për mua. Këtë mendoj vazhdimisht sa herë që shoh fotografinë tonë si familje. Sa shumë harmoni kishte përherë në shtëpinë tonë! Megjithatë, mbi të gjitha duhet të duam Perëndinë, siç na urdhëroi udhëheqësi ynë Jezu Krisht. Nëse i qëndrojmë besnikë, ai do të na shpërblejë.» Atë e pushkatuan për vdekje mëngjesin e 27 prillit, në moshën 25-vjeçare.

Prindërit e Anamarisë, Franc dhe Hilda Kuserovi, kishin 11 fëmijë. Ashtu si Vilhelmin, edhe Francin e djemtë e tij të mëdhenj i burgosën ngaqë nuk pranuan të merrnin pjesë në luftë. Fëmijët më të vegjël nuk pranuan të thoshin përshëndetjen «Hail Hitler», prandaj i ndanë nga prindërit, i futën nëpër shkolla riedukimi dhe, më vonë, i çuan nëpër familje të tjera.

Kur Volfgangun, një nga vëllezërit më të vegjël të familjes Kuserov, e nxorën para gjyqit ushtarak, ai tha plot guxim: «Jam rritur si Dëshmitar i Jehovait, sipas urdhërimeve të Perëndisë që ndodhen në Shkrimet e Shenjta. Ligji më i madh dhe më i shenjtë që i dha ai njerëzimit është ky: ‘Duhet ta duash Perëndinë tënd mbi çdo gjë tjetër dhe të afërmin si veten.’ Urdhërime të tjera thonë: ‘Mos vrit.’ Vallë, i shkroi për pemët Krijuesi të gjitha këto fjalë?!»

Më 28 mars 1942, Volfgangut 20-vjeçar i prenë kokën në gijotinë.

Një çështje besimi

Anamaria dhe familja e saj paguan një çmim të lartë për besimin dhe për qëndrimin e tyre të palëkundur për të mos mbështetur qeverinë naziste në luftë. Disa madje dhanë edhe jetën ngaqë nuk pranuan të vritnin të tjerët. Në total, kjo familje ka kaluar 47 vite në burg.

Arkivi na ndihmon të mësojmë nga besimi i jashtëzakonshëm i kësaj familjeje. Materialet ilustrojnë në mënyrë të gjallë se si besimi na jep forcë përballë përndjekjes së egër dhe kërcënimit me vdekje. Ky mesazh i fuqishëm që përmban arkivi mund të kuptohet plotësisht vetëm në muzetë e Dëshmitarëve të Jehovait.

Në tetor të vitit 2022 vdiq Pol-Gerhard Kuserovi, i vetmi nga fëmijët që ishte ende gjallë. Ai kishte shpresuar të shihte ditën kur muzeu ushtarak do të respektonte dëshirën e motrës së tij—diçka për të cilën bëri vazhdimisht thirrje publike derisa vdiq. Ai shpjegonte: «Vëllezërit e mi vdiqën ngaqë nuk u bënë pjesë e ushtrisë. Prandaj s’më duket fare normale që kjo trashëgimi të ruhet pikërisht në një muze ushtarak.»

Dëshmitarët e Jehovait pajtohen me këto fjalë. Është një padrejtësi e rëndë morale që muzeu të shpërfillë dëshirat e shprehura qartë të Anamarisë. Ndaj amanetit të familjes Kuserov u tregua mungesë respekti gjatë periudhës nacional-socialiste, dhe njësoj po ndodh edhe sot në Gjermaninë moderne.

Mjerisht, edhe ndaj vetë arkivit po tregohet mungesë respekti. Vetëm 6 nga mbi 1.000 pjesët e arkivit janë ekspozuar në muze, ndërsa gjithë pjesët e tjera ndodhen në magazinën e muzeut—pa asnjë dobi për publikun e gjerë.

Lutemi që gjykata t’ia japë arkivin Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët kanë të drejtën ligjore dhe morale për ta pasur.—Luka 18:7.