4 NËNTOR 2024
GJERMANI
Ekspozitë kushtuar atyre që refuzuan shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes në Memorialin dhe Muzeun e Zaksenhauzenit, në Gjermani
Më 15 shtator 2024, Memoriali dhe Muzeu i Zaksenhauzenit, në qytetin e Oranienburgut, Gjermani, çeli një ekspozitë të përkohshme të titulluar: «Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist.» Hapja e ekspozitës, që do të zgjasë të paktën deri nga mesi i dhjetorit, përkon me 85-vjetorin e vdekjes së vëlla August Dikmanit. Augusti ishte i pari që u ekzekutua nga regjimi nazist sepse refuzoi shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.
Qeveria naziste ekzekutoi mbi 280 Dëshmitarë të Jehovait që ishin dënuar me vdekje ngaqë kishin refuzuar t’u bashkoheshin forcave ushtarake. Ekspozita tregon historinë e disa prej këtyre Dëshmitarëve besnikë përmes tekstit dhe fotografive në 33 panele. Mes tyre paraqitet edhe historia e motrës Emi Zejden. Më 9 qershor 1944, e ekzekutuan në burgun e Plotzenzit në Berlin, Gjermani, sepse me guxim fshehu Gerhart Liboldin, Vërner Gasnërin dhe djalin e saj të adoptuar, Horstin. Të tre këta vëllezër kishin refuzuar shërbimin ushtarak.
Gjatë ceremonisë hapëse të ekspozitës, në një intervistë, vëlla Hans-Joakim Revaldi foli për babanë e tij, Jozefin. Më 1938, Jozefi refuzoi të bëhej pjesë e ushtrisë gjermane. Si pasojë e arrestuan dhe e dënuan me 1 vit burg. Më vonë e burgosën në tri kampe përqendrimi, një ndër to ishte Zaksenhauzeni. Ai ishte edhe dëshmitar okular i vrasjes së August Dikmanit. Gjithë këto sprova, për asnjë çast nuk ia lëkundën vendosmërinë Jozefit që t’i qëndronte besnik Jehovait. Pasi pa ekspozitën, një vëlla tha: «Më bëri shumë përshtypje se deri ku shkonin sakrificat e vëllezërve dhe të motrave për hir të asnjanësisë; deri në vdekje. Dua të tregoj të njëjtën vendosmëri.»
I çmojmë vëllezërit e motrat që me guxim qëndruan të patundur përballë regjimit nazist. Edhe sot shumë Dëshmitarë përndiqen për shkak të qëndrimit asnjanës. Besimi i jashtëzakonshëm i vëllezërve në ato vite na jep zemër sot, kur hasim sprova.—1 Pjetrit 5:10.