18 PRILL 2024
GJERMANI
Hermina Shmidi, Dëshmitarja e fundit e mbijetuar nga kampet naziste të përqendrimit, vdes në moshën 98-vjeçare
Më 31 mars 2024, u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare motër Hermina Shmidi. Me sa dihet, ajo është Dëshmitarja e fundit e mbijetuar nga kampet naziste të përqendrimit, të cilën e kishin dënuar për shkak të besimit.
Hermina lindi më 13 nëntor 1925, në qytetin e Gdanskut, që sot është pjesë e Polonisë. Prindërit e saj, Oskar dhe Frida Koshmideri, ishin Dëshmitarë të Jehovait. Ata ngulitën në zemrën e vajzës së tyre një bindje dhe besim të fortë. Më 1939, ushtritë naziste pushtuan Gdanskun, dhe kështu filloi një periudhë përndjekjeje e egër ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Gjatë asaj periudhe, Hermina ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua më 2 maj 1942, në moshën 16-vjeçare.
Vitin pasues, në qershor të 1943-shit, nazistët arrestuan dhe burgosën Herminën, që asokohe ishte 17 vjeçe. Pastaj në prill të 1944-s atë e arrestuan përsëri dhe këtë herë e çuan në kampin e përqendrimit të Shtut’hofit. Duke kujtuar atë kohë të tmerrshme, Hermina njëherë tha: «Ajo që ndodhi, nuk ishte aspak e lehtë. Na poshtëruan dhe na lënduan thellë. Gestapoja nuk la gur pa lëvizur që të më thyente integritetin. Nuk kam lindur heroinë. Isha thjesht një vajzë si gjithë të tjerat. Ama e dija mirë se çfarë duhej të bëja. Duhej të tregohesha besnike dhe e vendosur për të vepruar në përputhje me ndërgjegjen time. Kur vepron kështu, shpërblehesh me paqe—paqe me veten dhe me Perëndinë.»
Një vit më vonë, në prill të 1945-s, ushtria ruse po i afrohej kampit të Shtut’hofit. Rojat gjermane SS hipën me forcë nëpër varka të mëdha shumë të burgosur dhe i braktisën në det, në vend se të lejonin që t’i lironin ushtritë ruse. Hermina dhe 370 të tjerë shpëtuan kur varkën e tyre e tërhoqën në ishullin danez të Mënit, në maj të 1945-s. Pak pas kësaj, Hermina u ribashkua me prindërit.
Në vitin 1947, Hermina u martua me Horst Shmidin. Horsti nuk kishte pranuar të kryente shërbimin ushtarak dhe kishte ndihmuar në shpërndarjen e literaturës së bazuar në Bibël gjatë kohës kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte nën ndalim. Atë e nxorën para gjyqit, e dënuan me vdekje dhe e burgosën në burgun e Brandenburg-Gërdenit. Ky burg u çlirua më 27 prill 1945, pak para datës kur ishte planifikuar ekzekutimi i Horstit. Ai dhe Hermina gëzuan gati 63 vjet martesë, derisa ai u nda nga jeta më 2010.
Për vite të tëra çifti Shmid kanë folur publikisht për përvojën e tyre. Në një intervistë të vitit 1998, Hermina u shpreh kështu për jetën e saj plot integritet: «Nuk ka qenë e lehtë të ecja në këtë rrugë, ama është udhëtimi më i bukur. Nuk do ta lija për asgjë në botë.»
Jemi mirënjohës për integritetin që ka treguar nën sprova Hermina. Imitofshim besimin e saj duke qenë të vendosur për të shfaqur guxim dhe për ta mbajtur të fortë besimin, të bindur se Jehovai do t’i mbrojë përherë ata që nuk e braktisin.—Psalmi 31:23, 24.