10 PRILL 2023
GJERMANI
Mijëra të pranishëm në ceremoninë përkujtimore për viktimat e sulmit në Hamburg
Më 9 mars 2023, Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë anembanë botës u trishtuan thellë nga sulmi me armë në një Sallë Mbretërie në Hamburg, Gjermani. Vëlla Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, vëlla Gajus Glokentini, ndihmës i Komitetit të Botimit dhe anëtarë të Komitetit të Degës të Evropës Qendrore udhëtuan për në Hamburg që të ngushëllonin dhe t’u jepnin zemër vëllezërve e motrave. Më 25 mars, në një arenë sportive të qytetit u mbajt një ceremoni përkujtimore për viktimat. Për pjesëmarrësit në këtë program prekës, kjo ishte një shfaqje e fuqisë së Biblës për të ngushëlluar dhe për të mbështetur ata që vajtojnë. Shumë veta u ndien si një vëlla që i mbijetoi sulmit, i cili u shpreh: «Sot ndiem vërtet përqafimin e Jehovait.»
Në këtë ceremoni përkujtimore ishin të pranishëm mbi 3.300 veta. Ndërsa mbi 90.000 të tjerë e ndoqën ceremoninë nëpërmjet një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Përveç vëllezërve dhe motrave, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe përfaqësues të shërbimeve të emergjencës. Ndër ta, kryetari dhe nënkryetari i bashkisë së Hamburgut, presidenti i parlamentit të qytetit të Hamburgut, konsulli i përgjithshëm i SHBA-së në Hamburg, senatori i punëve të brendshme dhe i sporteve, shefi i Kancelarisë së Senatit, shefi i Policisë së Hamburgut dhe zëvendëspresidenti i policisë.
Ceremonia nisi me një këngë Mbretërie, performuar nga një orkestër harqesh e përbërë nga vëllezër e motra. Drejtues i programit ishte vëlla Joakim Sheftsiku, anëtar i Komitetit të Degës në Evropën Qendrore. Ai prezantoi vëllanë Dirk Çupek, po ashtu anëtar i Komitetit të Degës, i cili mbajti fjalimin përkujtimor. Më pas, vëlla Çupeku prezantoi vëllanë Sanderson, i cili mbajti një fjalim të shkurtër të bazuar në Bibël. Në fund, vëlla Çupeku u kthye në podium për mbylljen e fjalimit përkujtimor. Ceremonia u mbyll me një lutje të përzemërt nga vëlla Glokentini dhe me një këngë tjetër Mbretërie.
Gjatë fjalimit, vëlla Sandersoni i shpjegoi auditorit se Perëndia nuk shkakton tragjedi të pakuptimta. Përkundrazi, ato janë ‘ngjarje të papritura’, siç i përshkruan libri i Eklisiastiut. (Eklisiastiu 9:11) Vëlla Sandersoni tha: «Tragjeditë mund t’i ndodhin gjithkujt, ndaj nuk ka kuptim të kërkojmë arsye pse ndodhin. . . . Shpresa jonë, besimi ynë, dashuria jonë mund të ngadhënjejnë mbi tragjedinë. Ato mund të triumfojnë mbi urrejtjen dhe dhunën.» Ai falënderoi edhe policinë, personelin e shërbimeve të emergjencës dhe stafin mjekësor që ndihmoi vëllezërit dhe motrat.
Në fjalimin e tij prekës, vëlla Çupeku tha: «Sulmi i 9 marsit nuk ishte sulm vetëm ndaj disa njerëzve; ishte sulm ndaj të gjithëve ne. Jemi këtu sot për t’i dhënë një përgjigje urrejtjes dhe dhunës, dhe përgjigjja jonë është dashuria, dhembshuria, empatia, shpresa dhe besimi. Në Shkrimet e Shenjta lexojmë: ‘Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.’ Jemi të vendosur të veprojmë kështu. Prandaj kemi ardhur këtu sot.»—Romakëve 12:21.
Publiku u prek sidomos kur vëlla Çupeku përmendi me emër secilën nga viktimat. Ai u shpreh: «Ne kemi ardhur edhe për t’i thënë mirupafshim Stefanit, Sebastianit, Xhejmsit dhe Marisë, Stefanisë, Danit dhe Romit tonë të vogël (fëmija i palindur që vdiq gjatë sulmit). Duke iu drejtuar motrave e vëllezërve që mbijetuan dhe familjarëve të viktimave në auditor, ai komentoi: «Përveç kësaj, të dashur të afërm të viktimave, duam t’ju sigurojmë se jemi krah jush.»
Në fund të fjalimit të tij frymëzues, ai përmendi veçori specifike të tyre, që do t’u mungojnë të mbijetuarve. Duke iu referuar Zbulesës 21:4, 5, vëlla Çupeku u shpreh: «Po, na mungojnë miqtë tanë që humbën jetën. Vajtojmë për ta. Ata do të mbeten përjetë në zemrat tona. Gjithsesi do të vijë dita kur nuk do të ketë më vdekje dhe Perëndia do ta shërojë përgjithmonë pikëllimin që ndiejmë. . . . Ky është vizioni i madh i krishterimit. Ky është vizioni ynë. Vdekja mund të mposhtet. Fjala e fundit nuk i përket vdekjes. Fjalën e fundit e thotë Perëndia. . . . Fjala e fundit për jetën e Stefanit, të Sebastianit, të Xhejmsit dhe të Marisë, të Stefanisë, të Danit dhe të Romit tonë të vogël nuk është thënë ende.»
Pasi mbaroi ceremonia përkujtimore, disa zyrtarë të qeverisë bënë deklarata publike. Në fjalimet përkatëse, si kryetari i bashkisë së Hamburgut, dr. Peter Tshentsher, edhe kryetarja e parlamentit të qytetit të Hamburgut, znj. Karola Veiti, shprehën ngushëllime për miqtë dhe për familjet e viktimave. Dr. Tshentsheri tha se të mbijetuarit «po e përballonin pikëllimin dhe plagët me guxim të madh» falë «besimit të tyre të thellë të krishterë». Ai lexoi një letër ngushëllimi nga presidenti federal i Gjermanisë, z. Frank-Uollter Shtajnmajer.
Ishin të pranishme edhe shumë media, të cilat raportuan për këtë ngjarje. Përfaqësuesi i një stacioni televiziv komentoi: «Mirësia e të gjithë njerëzve këtu është jashtë mase mbresëlënëse.» Ai shpjegoi: «Ne kemi qenë mysafirë në shumë evente, por askund nuk kemi parë një atmosferë si këtu, e as fjalime të tilla, të paraqitura në këtë mënyrë.»
Një çift që i mbijetoi sulmit, tregoi: «Është mirë të meditojmë për shpresën tonë dhe ta kalojmë këtë periudhë zie të rrethuar me kaq shumë vëllezër.»
Një vëlla nga një kongregacion tjetër që mblidhet në po atë Sallë Mbretërie ku ndodhi sulmi, shpjegoi: «Ka qenë një periudhë zie e gjatë. Erdha këtu komplet i dërrmuar nga ndjenjat e pikëllimit. Mirëpo ceremonia ishte tejet dinjitoze. . . . Në të gjitha fjalimet nga vëllezërit apo nga përfaqësuesit e publikut mund të dalloje fare qartë dhembshurinë dhe empatinë e thellë.»
Kjo ceremoni përkujtimore ishte një shprehje e qartë e kujdesit të dashur të Jehovait. E dimë se «Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» do të vazhdojë të mbështetë të gjithë ata që janë prekur jashtë mase nga sulmi në Hamburg.—2 Korintasve 1:3.
Pamje e skenës me drejtuesin e ceremonisë, vëllanë Joakim Shevçuk, anëtar i Komitetit të Degës në Evropën Qendrore. Pas tij është orkestra e Dëshmitarëve të Jehovait, që përbëhet nga muzikantë profesionistë
Vëlla Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, duke mbajtur një fjalim ngushëllues nga Shkrimet, i cili u përkthye në gjermanisht
Zyrtarë qeveritarë në rreshtin e parë të auditorit, duke dëgjuar fjalimet
Vëllezër e motra duke mbështetur njëri-tjetrin pas programit
Kartolina dhe letra ngushëllimi që u ekspozuan në hollin e arenës
Në hollin e arenës, një televizion gjerman interviston një plak nga Hamburgu, i cili i njihte personalisht disa nga viktimat