Kalo te përmbajtja

Motër Ana Denzi dhe vëlla Erik Frosti; godina e parlamentit të shtetit të Baden-Vyrtembergut, Gjermani

22 SHKURT 2021
GJERMANI

Parlamenti i Baden-Vyrtembergut në Gjermani nderon Dëshmitarët e Jehovait për qëndrimin e guximshëm ndaj përndjekjes naziste

Parlamenti i Baden-Vyrtembergut në Gjermani nderon Dëshmitarët e Jehovait për qëndrimin e guximshëm ndaj përndjekjes naziste

Foto e Muhterem Arasit nga programi virtual. Ajo është presidente e parlamentit të shtetit të Baden-Vyrtembergut

Më 27 janar 2021, parlamenti i shtetit të Baden-Vyrtembergut, Gjermani, u përqendrua te Dëshmitarët e Jehovait në përkujtimin e përvitshëm të viktimave të regjimit nazist gjatë Luftës II Botërore. Për shkak të pandemisë COVID-19, ceremonia u organizua online. Këtë event e ndoqën online mbi 37.000 veta nga Austria, Gjermania, Holanda dhe Zvicra. Më pas programi i regjistruar u pa rreth 78.000 herë.

Muhterem Arasi, presidente e parlamentit të shtetit të Baden-Vyrtembergut, pranoi se «historia e përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait është e mirëdokumentuar, . . . ama pak veta e njohin mirë historinë e tyre». Më pas shpjegoi se Dëshmitarët gjatë asaj periudhe të errët të historisë, janë «një shembull për ne sot për mënyrën si përballohen urrejtja e paragjykimi dhe si shmanget dhuna».

Presidentja e parlamentit të shtetit, znj. Aras, foli për historinë e Ana Denzit, një Dëshmitareje nga Lërrah, Baden-Vyrtemberg. Prindërit i vdiqën në kampe përqendrimi. Ana nuk kishte pranuar të përshëndeste me fjalët «Hail Hitler» në shkollë. Më në fund Dëshmitarë të tjerë e ndihmuan të arratisej në Zvicër. Më vonë u transferua në Shtetet e Bashkuara bashkë me të shoqin. Presidentja e parlamentit të shtetit, znj. Aras, tha: «Ana Denzi pati guximin të rezistonte, dhe guximi i saj buronte nga besimi që kishte.»

Dr. Hans Hesi

Historian dr. Hans Hesi shpjegoi se si Dëshmitarët e Jehovait u ndaluan në Gjermani në vitin 1933, vetëm dy muaj pasi erdhën në fuqi nazistët. Dr. Hesi i shpjegoi auditorit se vëllezërit tanë «i rezistuan ndalimit duke shpërndarë fletushka ose duke vazhduar aktivitetin e tyre të predikimit».

Ai tregoi historinë e vëlla Gustaf Shtangut. Ndërsa ishte në gjyq si kundërshtar për shkak të ndërgjegjes, prokurorët e pyetën: «Çfarë do të ndodhte nëse çdo njeri do të vepronte njësoj si ju?» Vëllai ynë iu përgjigj: «Atëherë lufta do të kishte marrë fund menjëherë.»

Gjatë këtij evenimenti online u dëgjua edhe muzika e këngës «Përpara, o Dëshmitarë!» Vëlla Volfram Slupina, që mbikëqyr aktivitetet e Zyrës së Informacionit për Publikun në degën e Evropës Qendrore, shpjegoi se vëlla Erik Frosti, që ishte muzikant profesionist, e kompozoi tekstin origjinal të kësaj kënge kur ishte në kampin e përqendrimit të Zaksenhauzenit më 1942. Në një intervistë, vite më parë, vëlla Frosti shpjegonte se qëllimi i kësaj kënge ishte t’u jepte zemër të burgosurve të tjerë, sepse «përndjekja në kamp ishte e padurueshme».

Mara dhe Fin Kemperi, 13 dhe 15 vjeç, që janë Dëshmitarë të Jehovait, intervistuan motër Simona Arnold Liebster, që i mbijetoi përndjekjes naziste. Kur ishte fëmijë, përballoi një kundërshtim ekstrem. Ngaqë nuk pranonte të bashkohej me nazistët, autoritetet e dërguan në një shkollë riedukimi. Ajo tregon se «u ndie jashtë mase e gëzuar» që mbeti besnike, pavarësisht nga përndjekja.

Motër Simona Arnold Liebster, të cilën Mara dhe Fin Kemperi e intervistuan gjatë ceremonisë

Jemi të kënaqur që kjo ceremoni, para një audience të madhe, ishte një dëshmi e fuqishme për Jehovain, që e ka vërtetuar se është një ndihmë e besueshme gjatë përndjekjes së egër.—Hebrenjve 13:6.