Kalo te përmbajtja

16 KORRIK 2015
GJERMANI

Zyrtarët nderojnë një baba me të birin ngaqë shpëtuan tre burra nga një makinë që po digjej

Zyrtarët nderojnë një baba me të birin ngaqë shpëtuan tre burra nga një makinë që po digjej

Jorim, Kristjane dhe Andreas Bonk. Kur u bë ceremonia, Andreasi ishte shtruar në spital për shkak të një incidenti.

ZELTËRS, Gjermani—Andreas Bonk, një Dëshmitar i Jehovait, bashkë me të birin, Jorimin, ishin ndër personat që iu dhanë medalje dhe certifikata nderi më 16 prill 2015. Ata shpëtuan tre veta në një makinë që po digjej pas një aksidenti. Në ceremoninë e mirënjohjes ishin të pranishëm ministri i brendshëm i shtetit federal të Baden-Vyrtembergut, në jugperëndim të Gjermanisë, dhe dy kryetarë bashkie të Obersulmit dhe Uaiblingenit, qytetet e atyre që u nderuan. Ministri i brendshëm, Rainhold Gal (fotografia sipër, i treti nga e djathta), i dha Andreas Bonkut Medaljen për shpëtimin e jetëve në shtetin federal të Baden-Vyrtembergut (Lebensrettungsmedaille des Landes Baden-Württemberg). Gruaja e z. Bonk, Kristjane, (fotografia sipër, në qendër), pranoi medaljen në emër të tij, pasi ai ishte shtruar në spital për shkak të një incidenti. Gjatë ceremonisë, kryetari i bashkisë së Obersulmit, Tilman Shmid (fotografia sipër, i fundit majtas), i dha Jorim Bonkut (fotografia sipër, në qendër) një Certifikatë Nderi (Ehrungsurkunde).

Më 11 maj 2014 Andreas dhe Jorim Bonk po udhëtonin në autostradë për te një mbledhje e madhe arsimimi biblik e Dëshmitarëve të Jehovait, ku Andreasi do të mbante një fjalim biblik. Rrugës panë një aksident tragjik me makinë. Katër ushtarë amerikanë kishin ngecur brenda një makine në flakë, të kthyer anash. Familja Bonk, bashkë me dy të tjerë, ndaluan për të ndihmuar. Andreasi rrezikoi jetën për t’i nxjerrë nga makina që po digjej, derisa erdhën policia, zjarrfikësit dhe ambulanca. Mjerisht, një nga ushtarët vdiq. Në artikullin që shkroi, revista Sulmtaler Woche citoi ministrin Gal, i cili tha për shpëtimtarët: «Ju vepruat me guxim dhe trimëri, pa menduar për veten.» Kryebashkiaku Shmid shtoi: «Ne banorët e Obersulmit jemi krenarë për ju.»

Fotografi e vendit të aksidentit.

Andreas Bonk shpjegoi se çfarë e shtyu për këtë akt të guximshëm: «Ndalova në vendin e aksidentit nga meraku për njerëzit. Për mua çdo jetë është e çmuar. . . . Po të isha unë ose ndonjë i afërmi im në një situatë të tillë, do të doja që të tjerët të ishin aq mirëdashës dhe të guximshëm, sa të ndërhynin për të na ndihmuar.» Jorimi shtoi: «Është e rëndësishme që të mos e kthejmë kokën në anën tjetër kur njerëzit kanë nevojë.»

Ceremonia e nderimit u zhvillua në Sallën e Qytetit në Obersulm. Gazeta gjermane STIMME.de raportoi për ceremoninë dhe citoi kryebashkiakun e Uaiblingenit, Andreas Heski (fotografia sipër, i dyti nga e djathta), i cili tha: «Mund ta kujtoni me krenari të madhe atë që bëtë. Qyteti i Uaiblingenit është krenar që ka qytetarë të tillë. Ju jeni shembuj për shoqërinë tonë.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: Xhejms Brauni, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Gjermani: Volfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110