3 MARS 2017
GJERMANI
Gjykatat gjermane njohin si festa fetare kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait
Në prill 2012 shtatëvjeçarja Vivienë Falkone çoi në drejtorinë e shkollës një letër në të cilën prindërit kërkonin një ditë leje për të. Familja e saj kishte planifikuar të merrte pjesë në një kongres fetar treditor të përvitshëm të Dëshmitarëve të Jehovait në Majnc. Autoritetet e shkollës nuk e pranuan kërkesën e prindërve të Vivienës dhe nuk i dhanë leje të ndiqte programin e kongresit të premten. Pavarësisht nga kjo, prindërit e morën Vivienën me vete në kongres, sepse ishin në merak për arsimimin e saj biblik. Meqë autoritetet e shkollës nuk i dhanë leje, ata i paraqitën një ankesë Drejtorisë Shtetërore të Arsimit (Drejtoria). Në vend që t’i njihte kongreset si festa fetare, Drejtoria i urdhëroi të paguanin një gjobë administrative.
Ky vendim i Drejtorisë mund t’u sillte pasoja negative prindërve të Vivienës sepse, sipas ligjit gjerman, një mungesë e pajustifikuar në shkollë shihet si shkelje e detyrimit ligjor të prindit për të çuar fëmijët në shkollë. Kjo shkelje mund të dënohet me gjobë e madje në raste ekstreme edhe me burg. Duke e parë çështjen nga një këndvështrim më i gjerë, për prindërit e Vivienës ky vendim shkelte lirinë fetare dhe të drejtën për ta rritur fëmijën sipas bindjeve të tyre fetare.
Gjyqi shqyrton të drejtën për të marrë pjesë në festa fetare
Prindërit e Vivienës, Stefano dhe Eliza, paraqitën një ankesë në një gjykatë administrative kundër veprimeve të Drejtorisë. Argumentuan se ky aktivitet fetar që zgjaste gjithë ditën, u jepte mundësi të adhuronin Zotin si familje dhe të forconin besimin. Ata pohuan: «Kongreset vjetore janë ngjarje shumë të rëndësishme dhe të veçanta në fenë tonë.» * Gjykata vendosi në favor të prindërve, duke njohur si festa fetare kongreset rajonale të përvitshme të Dëshmitarëve të Jehovait. Drejtoria apeloi vendimin duke argumentuar se, ndonëse kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait janë raste festive, s’quhen festa fetare sepse nuk janë ditë të shenjta, si Krishtlindjet, Pashkët apo festat kombëtare.
Më 27 korrik 2015 Gjykata më e Lartë Administrative e Hesit përkrahu vendimin e gjykatës së mëparshme. Kjo gjykatë deklaroi se përkufizimi i një feste fetare varet vetëm nga pikëpamja e vetë shoqatës fetare. Gjykata pranoi se duhet të ekzistojë një ndarje e qartë midis çështjeve fetare e shtetërore. Ajo tha: «Në të kundërt, Shteti do të shkelte autonominë që u garanton Ligji themelor [pra Kushtetuta e Gjermanisë] kishave dhe shoqatave fetare e ideologjike, si edhe pavarësinë që gëzojnë brenda sferës së tyre.» Shteti është «i detyruar të ruajë asnjanësinë ideologjike dhe fetare».
Kjo gjykatë më e lartë iu referua edhe sitit zyrtar të Dëshmitarëve të Jehovait, ku shpjegohet se Dëshmitarët i konsiderojnë kongreset si festa fetare. Ajo pohoi se, duke mos pranuar t’i jepte leje Vivienës, Drejtoria «ka shpërfillur të drejtën e lirisë fetare të fëmijës . . . si edhe të drejtën e prindërve . . . për të edukuar fëmijët sipas fesë e ideologjisë së tyre». Gjykata arriti në përfundimin se «opinioni [i Drejtorisë] është në kundërshtim me asnjanësinë që kërkon Shteti».
«Pjesëmarrja në një ceremoni të thjeshtë fetare është një arsye e veçantë për të marrë leje nga mësimi.»—Gjykata më e Lartë Administrative e Hesit
Arsimim i gjithanshëm
Pas këtij vendimi pozitiv, prindërit e Vivienës thanë: «Si Dëshmitarë të Jehovait e konsiderojmë të rëndësishëm arsimimin dhe përpiqemi të ushqejmë te fëmijët dashurinë për të mësuar. Gjithashtu vlerësojmë jashtë mase arsimimin fetar sepse nëpërmjet tij fëmijët mësojnë të duan Zotin e të krijojnë një lidhje të ngushtë me të. Kjo i ndihmon të bëhen të dashur, të respektueshëm dhe të zhvillojnë personalitetin. U jemi shumë mirënjohës autoriteteve ligjore për këtë vendim.»
Armin Pikel, avokati i familjes Falkone, pohoi: «Ky vendim shpall kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait si raste të shenjta dhe rithekson të drejtën e prindërve për t’i edukuar fëmijët sipas bindjeve të tyre fetare. Nxënësit Dëshmitarë të Jehovait do të nxjerrin dobi nga këto leje për të qenë të pranishëm në kongrese që i mësojnë për mirë. Shpresoj që edhe gjykatat në vende të tjera të marrin parasysh këtë vendim të favorshëm kur shqyrtojnë çështje të tilla.»
^ par. 5 Kongreset rajonale, që më parë quheshin kongrese krahinore, janë ngjarje fetare të përvitshme që zhvillojnë Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës. Ky program arsimimi fetar treditor mëson fëmijë e të rritur si të zbatojnë parimet biblike në jetën e tyre.