9 KORRIK 2018
GJERMANI
Nuk është më i panjohur: Maks Ekarti përkujtohet në Qendrën Memoriale të Kampit të Përqendrimit në Dakau
Gjatë ceremonisë që u mbajt më 7 maj 2018, në Qendrën Memoriale të Kampit të Përqendrimit në Dakau, auditorit me rreth 200 veta iu zbulua një pllakë përkujtimore për vëllanë Maks Ekart. Atë e kishin burgosur në kampin e Dakaut për më se dy vjet, para se ta dërgonin në Mathauzen, në kampin famëkeq të përqendrimit në Austri. Ai nuk u kthye kurrë në shtëpi. Megjithëse pak veta e dinin kush ishte vëlla Ekarti para se të vdiste, tani njihet gjerësisht si një person që tregoi besim dhe besnikëri të jashtëzakonshme ndaj Perëndisë.
Raportet për vëlla Ekartin tregojnë se ai i qëndroi gjithnjë besnik Perëndisë. Bashkë me të shoqen i gjobitën që më 1935-n ngaqë flitnin me të tjerë për besimin e tyre. Më vonë humbi punën ngaqë nuk pranoi të mbante flamurin me kryqin nazist. Në vitin 1937 ai ishte një nga rreth 600 Dëshmitarët sypatrembur, të cilët i internuan në Dakau. Mbi 2 vjet më vonë, e transferuan në Mathauzen, ku të paktën 90.000 të burgosur vdiqën nga kushtet brutale. Më 21 shkurt 1940, gruaja e vëlla Ekartit mori një telegram ku lajmërohej ftohtë: «Bashkëshorti vdiq sot në kamp. Për më shumë hollësi, kontakto policinë.» Ai ishte 43 vjeç.
Gjatë prezantimit të saj në ceremoni, dr. Gabriele Hamermani, drejtoreshë e Qendrës Memoriale të Kampit të Përqendrimit në Dakau, shpjegoi: «Studentët e Biblës [siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait] u përndoqën ngaqë, për shkak të bindjeve, nuk anëtarësoheshin në asnjë organizatë naziste, nuk kryenin përshëndetjen hitleriane dhe as shërbimin ushtarak.» Më tej tha: «Të burgosurit e asaj kohe [kanë folur] me respekt të madh për qëndrimin e Studentëve të Biblës. Veçanërisht [kanë theksuar] qëndrimin e palëkundur dhe gatishmërinë që kishin për të ndihmuar.»
Vëlla Volfram Slupina, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, e pranoi se shumë pjesëmarrës në ceremoni nuk e njihnin vëllanë Ekart. Ai tha: «Madje as foto të Maks Ekartit nuk kemi.» Por shtoi se pllaka «bën të njohur qëndrimin e palëkundur [të vëlla Ekartit] dhe vendosmërinë e tij për të mos bërë kompromis me besimin—deri në vdekje».
Pa dyshim, Jehovai e kujton besimin dhe besnikërinë e Maks Ekartit, si edhe të të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait që kanë vdekur për shkak të besimit.—Hebrenjve 6:10.