9 TETOR 2013
GJERMANI
Përurohet në Gjermani monumenti i një Dëshmitari që mbijetoi gjatë holokaustit
SELTERS, Gjermani—Më 21 qershor 2013, në Lautertal-Reichenbach, u inaugurua një monument në nder të të ndjerit Max Liebster, një nga Dëshmitarët e Jehovait që vuajti mbi pesë vjet burg nëpër kampet naziste të përqendrimit. Kryetari i bashkisë dhe zyrtarë të tjerë të qytetit përuruan monumentin gjatë një ceremonie ku ishin të pranishëm banorë vendës dhe vejusha e z. Liebster, Simone Liebster, që po ashtu është Dëshmitare e Jehovait.
Z. Liebster ishte një hebre që jetonte në Gjermani gjatë regjimit nazist të Hitlerit, ndaj u arrestua nga Gestapo më 1939 dhe u burgos në pesë kampe përqendrimi: Sachsenhausen, Neuengamme, Auschwitz, Buna, dhe Buchenwald. Tetë pjesëtarë të familjes së tij vdiqën nëpër kampe. Mes tyre, edhe babai i tij, trupin e të cilit e çoi vetë në krematorin e Sachsenhausen.
Në kampet e përqendrimit, z. Liebster u njoh me të burgosur të tjerë që ishin Dëshmitarë të Jehovait. U pagëzua si një prej tyre pasi u lirua më 1945. Siç thuhet në pllakën e bronzit në monumentin e tij, besimi i z. Liebster «i dha forcën dhe dëshirën për të mbijetuar». Ai jetoi deri në moshën 93-vjeçare dhe vdiq në vitin 2008.
Ftesa e ceremonisë së përurimit thoshte se z. Liebster «ishte plotësisht i bindur se vlerat morale të krishtere i ndihmojnë njerëzit të shfaqin cilësitë më të mira». Wolfram Slupina, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, komenton: «Jemi të kënaqur që po përkujtohet guximi i një prej shumë bashkadhuruesve tanë. I shtyrë nga ndërgjegjja, ai shfaqi një qëndrim të patundur përballë intolerancës fetare. Me të vërtetë, ky monument është dëshmi e qartë e fuqisë së mesazhit biblik të paqes dhe unitetit, të cilit Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort t’i mbeten besnikë.»
Zëdhënësi për mediat:
Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000
Gjermani: Wolfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110