Kalo te përmbajtja

12 SHTATOR 2014
GJERMANI

Përkujtohet në Sachsenhausen Dëshmitari i Jehovait i ekzekutuar nga nazistët

Përkujtohet në Sachsenhausen Dëshmitari i Jehovait i ekzekutuar nga nazistët

SELTERS, Gjermani—Më 16 shtator 2014, Fondacioni i Përkujtimoreve i Brandenburgut organizoi një rast special për të kujtuar 75-vjetorin e ekzekutimit të August Dickmann në kampin e përqendrimit në Sachsenhausen. Në Luftën II Botërore, ndër ata që nuk pranonin të shkonin në luftë, ai ishte i pari që u ekzekutua publikisht nga nazistët.

August Dickmann aty nga viti 1936.

Në tetor të vitit 1937, z. Dickmann u burgos në kampin e përqendrimit në Sachsenhausen për shkak të bindjeve si Dëshmitar i Jehovait. Tri ditë pasi shpërtheu Lufta II Botërore në vitin 1939, Gestapoja e thirri z. Dickmann dhe i kërkoi të firmoste një librezë ushtarake që ta regjistronin në ushtrinë gjermane. Kur z. Dickmann nuk pranoi të firmoste, e futën në izolim dhe komandanti i kampit kërkoi leje nga kreu i SS-ve të ekzekutonte z. Dickmann në sy të të gjithë të burgosurve. Më 15 shtator 1939, qindra Dëshmitarë të Jehovait, përfshirë edhe Heinrich, vëllanë e z. Dickmann, i detyruan të shihnin ekzekutimin e tij. Dy ditë më pas, The New York Times raportonte nga Gjermania: «August Dickmann, 29-vjeçar, . . . e pushkatuan këtu me një skuadër pushkatimi.» Gazeta thoshte më tej se ai u dënua ngaqë nuk pranonte të shkonte ushtar «për shkak të skrupujve fetarë».

Më 18 shtator 1999, në murin e jashtëm të ish-kampit të përqendrimit u vendos një pllakë përkujtimore në nder të më se 890 Dëshmitarëve të Jehovait që ishin burgosur në Sachsenhausen. Përveç saj u përurua edhe një pllakë guri në nder të z. Dickmann.

Ceremonia për 75-vjetorin filloi atje ku ishte vendosur pllaka përkujtimore e z. Dickmann dhe vijoi me fjalime në ish-kuzhinën e të burgosurve. I ftuar si orator ishte dr. Detlef Garbe, ideator dhe drejtor i Përkujtimores së Kampit të Përqendrimit në Neuengamme.

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e informacionit publik, tel. +1 718 560 5000

Gjermani: Wolfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110