Kalo te përmbajtja

7 PRILL 2014
GJERMANI

Richard Rudolph, i mbijetuar i kampeve të përqendrimit, vdes në Gjermani në moshën 102 vjeç

Richard Rudolph, i mbijetuar i kampeve të përqendrimit, vdes në Gjermani në moshën 102 vjeç

SELTERS, Gjermani—Richard Rudolph, Dëshmitar i Jehovait që mbijetoi në pesë kampe përqendrimi naziste dhe vuajti në burg gjatë regjimit komunist, vdiq më 31 janar 2014. Ishte 102 vjeç.

Pasi nazistët erdhën në pushtet më 1933, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua ligjërisht në pjesën më të madhe të Gjermanisë. Si pasojë, nazistët burgosën 11.300 Dëshmitarë gjithsej, 4.200 prej të cilëve në kampe përqendrimi. Mes këtyre të fundit ishte edhe z. Rudolph. Afro 1.500 Dëshmitarë humbën jetën. Nën regjimin nazist, z. Rudolph kaloi nëntë vjet në burg dhe mbijetoi në pesë kampe përqendrimi, përfshirë kampet famëkeqe Sachsenhausen dhe Neuengamme, ku u burgosën mbi 300.000 veta dhe vdiqën 140.000.

Richard Rudolph (në çati, në cep djathtas) ishte një nga të burgosurit që i detyruan të ndërtonin kampin e përqendrimit Neuengamme, më 1940.

Më 1944 z. Rudolph e transferuan në Salzgitter-Watenstedt, degë e kampit Neuengamme. Për shkak të bindjeve të tij fetare, nuk bënte punë që lidheshin me prodhimin e municioneve, e si pasojë i kanosej ekzekutimi me vdekje. Mirëpo, një oficer SS, që ishte miqësor dhe që i kishin lënë mbresa bindjet fetare të z. Rudolph, e fshehu në një kamion për furnizime ushqimore. Kështu i shpëtoi ekzekutimit.

Pas Luftës II Botërore, Rudolph vazhdoi veprën si Dëshmitar i Jehovait në zonën e pushtuar nga sovjetikët, që më vonë u bë Republika Demokratike Gjermane (RDGJ). E arrestuan sërish më 1950 dhe e dënuan me burgim. Për shkak të bindjeve të tij fetare, kaloi mbi 19 vjet në burg.

Ann-Jacqueline Frieser dhe Richard Rudolph, biografia e të cilit ishte tema e artikullit të saj që fitoi çmime më 2009.

Për dekada me radhë, Richard Rudolph bëri çmos t’u jepte të tjerëve mesazhin e Biblës, si dhe t’u përcillte mësimet që kishte nxjerrë nga e kaluara për pasojat e këqija të diskriminimit. Në vitin 2009, një nxënëse gjermane, Ann-Jacqueline Frieser, fitoi dy çmime në një konkurs historie të organizuar nga presidenti i Republikës Federale me titull «Heronj: të nderuar - të keqkuptuar - të harruar» për biografinë e Richard Rudolph dhe intervistën me të. Ajo mori çmimin e parë në shtetin Rheinland-Palatinate dhe ishte ndër tre nxënësit e parë që fituan konkursin kombëtar.

Wolfram Slupina, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, thotë: «Richard Rudolph ishte jo vetëm një mik i shtrenjtë dhe bashkëbesimtar, por edhe burim i vyer informacioni historik. Guximi dhe besimi i pashoq që e karakterizuan në jetë janë shembull për të gjithë ne.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Gjermani: Wolfram Slupina, tel. +49 6483 41 3110