7 JANAR 2019
GREQI
Përkujtohet lufta gjysmëshekullore për të drejtën e predikimit
Tetëdhjetë vjet më parë, një anije me të burgosur zbarkoi Minos Kokinakisin në ishullin Amorgós të Greqisë, në detin Egje, ku do të bënte 13 muaj internim. Në atë kohë, Greqia nxori një ligj sipas të cilit nuk mund të predikoje me qëllimin për t’u ndryshuar fenë të tjerëve. Një gjykatë e dënoi vëlla Kokinakisin për shkelje të këtij ligji, pa i bërë gjyq. Ligji u nxor në kohën e diktatorit Joanis Metaksa. Vëlla Kokinakis ishte Dëshmitari i parë i Jehovait që u arrestua për shkeljen e atij ligji, por në vitet 1938-1992 u arrestuan edhe 19.147 vëllezër e motra. Gjatë atyre dekadave, qindra Dëshmitarë grekë përballuan dhunë fizike, arrestime dhe dënime me burg ngaqë predikonin lajmin e mirë.
Rreth moshës 30-vjeçare, vëlla Kokinakis filloi luftën gjysmëshekullore që të fitonte të drejtën për t’u folur të tjerëve rreth besimit të tij. Atë e arrestuan mbi 60 herë, kaloi mbi 6 vjet në burgje ose në ishuj-burgje, ku ai dhe Dëshmitarë të tjerë duruan kushte mizore. Për herë të fundit e arrestuan në moshën 77-vjeçare. Ai i tha gjykatës se arrestimi i tij ishte i padrejtë, por gjykata e dënoi, kështu që apeloi në gjykata më të larta. Së fundmi, Gjykata e Lartë e Greqisë e shqyrtoi çështjen e tij, por edhe kjo gjykatë e dënoi. Kështu vëlla Kokinakis ia paraqiti çështjen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), me argumentimin se Greqia kishte shkelur të drejtën e lirisë fetare. Në vitin 1993, në moshën 84-vjeçare, Minos Kokinakisi arriti një fitore ligjore të bujshme, hera e parë që GJEDNJ-ja dënoi një shtet për shkelje të lirisë së fesë. a 2018-a ishte 25-vjetori i këtij vendimi historik. Sipas një profesori të ligjeve ndërkombëtare publike, vendimi Kokinakis «ka mundësi të jetë vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilit i referohen më shpesh për lirinë e fesë e të besimit».
Ky vendim ka vendosur një precedent ligjor që vlen edhe sot, në një epokë kur shtete të pushtetshme, si Rusia, po përpiqen t’u mohojnë shumë vëllezërve të drejtën për të adhuruar Perëndinë pa pengesa.
Besimi dhe ngulmimi i vëlla Kokinakisit në shërbim është shembull i jashtëzakonshëm për vëllezërit e motrat në ditët tona që përndiqen për shkak të predikimit. Integriteti i tij dha një dëshmi të fuqishme që jehon edhe sot e kësaj dite.—Romakëve 1:8.
a Minos Kokinakis vdiq në janar të 1999-s.