Kalo te përmbajtja

6 MAJ 2015
GUATEMALË

Shkollat në Guatemalë luftojnë fenomenin e dhunës mes të rinjve; u kërkojnë botime Dëshmitarëve të Jehovait

Shkollat në Guatemalë luftojnë fenomenin e dhunës mes të rinjve; u kërkojnë botime Dëshmitarëve të Jehovait

MEKSIKO—Tri shkolla në Guatemalë u kërkuan botime Dëshmitarëve të Jehovait që t’i përdornin në programin e tyre mësimor. Dëshmitarët iu përgjigjën pozitivisht dhe dhuruan gjithsej 3.500 botime në spanjisht dhe quiché. Gjuha quiché është një gjuhë e indianëve të Amerikës që bën pjesë në familjen e gjuhëve maja, e cila flitet në malet perëndimore të Guatemalës.

Shkolla Fillore Rurale në Paraje Xepec: mësuesja po jep mësim me botimet Libri im i tregimeve biblike dhe Mësimet e para nga Bibla, dhuruar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Shkollat kontaktuan Dëshmitarët e Jehovait sepse janë ndër organizatat e pakta që botojnë literaturë në gjuhën quiché, dhe disa nga botimet e tyre trajtojnë tema për problemet që hasin të rinjtë guatemalas. Në një dokument zyrtar nga shkolla fillore në Paraje Xepec, mësuesja Maria Cortez theksoi se literaturën e kërkuan «për të shpëtuar vlerat dhe parimet morale që janë më se të nevojshme në shoqëri».

Shkolla Rurale Elisa Molina de Sthall: nxënësit po lexojnë në gjuhën quiché botimin Libri im i tregimeve biblike.

Studime të kohëve të fundit tregojnë se kriminaliteti dhe dhuna te të rinjtë është përhapur në mbarë Guatemalën. Për këtë arsye, organizatat në Guatemalë, si për shembull Programi për Parandalimin e Dhunës (VPP), janë krijuar me synimin për të angazhuar «nxënësit, prindërit, mësuesit, autoritetet lokale dhe shoqërinë civile, të planifikojnë zona të sigurta përreth shkollave dhe të organizojnë veprimtari e kurse profesionale për fëmijët dhe të rinjtë». Në harmoni me këto nisma, Instituti Kombëtar i Arsimit Bazë për Agrikulturën (INEBOA), Shkolla Rurale Elisa Molina de Sthall (EORM) dhe Shkolla Fillore Rurale në Paraje Xepec kërkuan botimin Libri im i tregimeve biblike në gjuhën quiché. INEBOA kërkoi edhe vëllimet 1 dhe 2 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike në spanjisht. Shkollat u dhanë prindërve kopje të këtyre librave, që t’i ndihmojnë fëmijët të përgatitin detyrat e shtëpisë për lëndën e kulturës. Përveç kësaj, shkolla shtoi në programin mësimor edhe videon Kthimi i djalit plëngprishës, prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Erick De Paz, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Guatemalë, thotë: «Megjithëse synimi ynë kryesor është t’ua çojmë mesazhin biblik njerëzve në shtëpi, jemi të lumtur që mësuesit dhe prindërit i konsiderojnë botimet tona të dobishme për të ndihmuar të rinjtë.»

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Guatemalë: Juan Carlos Rodas, tel. +502 5967 6015

Meksikë: Gamaliel Camarillo, tel. +52 555 133 3048