7 TETOR 2022
HOLANDË
Një histori 100-vjeçare sprovash dhe triumfesh në Holandë
Këtë vit, më 2022, mbushen plot 100 vjet që kur u themelua zyra e parë e degës në Amsterdam, kryeqyteti i Holandës. Përgjatë kësaj kohe, vëllezërit e motrat atje kanë shfaqur guxim e besim të pathyeshëm.
Lajmi i mirë mbërriti në Holandë pak pas vitit 1900 kur një i ri me emrin Hainrish Brinkhof filloi të lexonte literaturën e botuar nga Watch Tower Society and the International Bible Students Association. Shpejt, ai nisi t’u tregonte edhe të tjerëve për gjërat që kishte mësuar, dhe ato fara të së vërtetës filluan të rriteshin. Më 1920, vëllai Xhozef Radhërford vizitoi Evropën dhe themeloi një zyrë dege në Zvicër, e cila kishte nën mbikëqyrje edhe Holandën. Në vitin 1921, vëlla Radhërfodi caktoi vëllanë Adrian Blok që të mbikëqyrte veprën në Holandë. Dhe një vit më vonë, më1922, u hap një zyrë dege në Amsterdam.
Zyra e degës ndihmoi që vepra e predikimit të organizohej më mirë dhe që numri i Dëshmitarëve të Jehovait të rritej. Pak para Luftës së Dytë Botërore, në vend kishte rreth 500 lajmëtarë aktivë.
Kur shpërtheu lufta, Holanda u pushtua nga nazistët. Dëshmitarët e Jehovait ishin ndër grupet që u bënë shënjestër e përndjekjes. Gjatë pushtimit u internuan rreth 300 Dëshmitarë holandezë, mjaft prej të cilëve i dërguan në kampe përqendrimi. Rreth 130 vëllezër humbën jetën për shkak të sëmundjeve dhe të vështirësive të tjera. Pavarësisht nga përndjekja, në fund të luftës, më 1945, në Holandë numri i Dëshmitarëve të Jehovait arriti në 3.125.
Gjithsesi, mbarimi i luftës nuk u dha fund sprovave. Kisha Katolike iu kundërvu fuqishëm Dëshmitarëve, sidomos në pjesën jugore të vendit. Një prej rasteve që kanë lënë gjurmë, ndodhi më 1952 kur Kisha Katolike u përpoq të ndalonte mbajtjen e një kongresi në Venlo. Për shkak të kundërshtimit, Dëshmitarëve ua anuluan kontratat e qirasë për vendin dhe për shërbime të tjera. Por, vëllezërit nuk hoqën dorë kollaj. Ata ngritën një tendë në një fushë të hapur dhe e mbajtën kongresin atje.
As kundërshtarët nuk u dorëzuan. Gjatë kongresit erdhën mbi 1.000 veta për të prishur programin. Madje, policia bastisi vendin e kongresit dhe arrestoi disa vëllezër gjatë sesionit të së dielës pasdite.
Gjithsesi, përpjekjet e kundërshtarëve dështuan. Vëllezërit përgjegjës ia dolën ta mbanin të gjithë kongresin duke ndjekur drejtimin e kujdesshëm të zyrës së degës.
Jehovai vazhdoi të bekonte vendosmërinë e vëllezërve. Më 1983, dega e Holandës u transferua në godinat e reja në Emen. Sot, në Holandë ka afërsisht 30.000 Dëshmitarë të Jehovait.
Historia e Dëshmitarëve të Jehovait në Holandë është dëshmi e qartë se Jehovai ‘nuk e lë e nuk e braktis’ popullin e tij.—Ligji i përtërirë 31:6.