31 TETOR 2019
INDI
Dëshmitarët e Jehovait në Indi prezantojnë Biblën në gjuhën teluge
Gjatë kongresit rajonal që u mbajt më 25 tetor 2019 në Qendrën Ndërkombëtare të Kongreseve në Hajdarabad, Indi, vëlla Ashok Pateli, anëtar i Komitetit të Degës në këtë vend, prezantoi Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën teluge.
Gjuhën teluge e flasin mesatarisht 91,9 milionë njerëz, që do të thotë se është gjuha e tretë më e folur në Indi pas gjuhës hindi dhe bengale. Për momentin, në fushën e gjuhës teluge shërbejnë rreth 6.000 lajmëtarë, por në kongres morën pjesë 8.868 veta. Këto shifra dhe dy qarqet e reja që u formuan këtë vit, nxjerrin në pah potencialin e kësaj fushe.
Një përkthyes që ndihmoi në projektin 5-vjeçar të përkthimit të kësaj Bible, tha se Biblat e tjera në teluge përdorin një gjuhë të vjetër dhe sidomos të rinjtë e kanë të vështirë ta kuptojnë. Ai u shpreh: «Falë këtij përkthimi, Jehovai do t’u flasë të rinjve me fjalë të qarta e të kohës që mund t’i kuptojnë kollaj.» Një përkthyese tjetër shtoi: «Kur të lexojmë shkrimet në shërbim, njerëzit do t’i kuptojnë menjëherë.»
Veç kësaj, meqë shumica e Biblave në gjuhën teluge e kanë hequr fare emrin e Perëndisë, Jehova, Përkthimi Bota e Re do t’i ndihmojë lexuesit të njohin emrin e Perëndisë së Plotfuqishëm. Gjithashtu do t’i ndihmojë të dallojnë kuptimin origjinal të fjalëve të tilla, si shpirt dhe frymë, që Bibla të tjera në gjuhën teluge i kanë përkthyer sipas bindjeve hinduiste.
Një lajmëtar tha: «Mendoj se kjo Bibël do t’i ndihmojë lexuesit ta ndiejnë dashurinë e Jehovait si kurrë më parë.» Patjetër, ky përkthim i ri në gjuhën teluge do t’i ndihmojë lexuesit ‘të provojnë dhe të shijojnë se sa i mirë është Jehovai’.—Psalmi 34:8.