1 NËNTOR 2023
INDI
Dëshmitarët në Indi ngushëllojnë dhe i japin zemër njëri-tjetrit pas shpërthimeve në kongres
Siç raportonte një lajm i fundit në jw.org, të dielën më 29 tetor 2023, në një kongres rajonal që mbahej në Keralë, Indi, shpërthyen disa bomba. Mjerisht, përveç 2 motrave që vdiqën në vend, vdiq edhe një vajzë 12-vjeçare nga plagët që kishte marrë. Janë plagosur edhe 55 motra e vëllezër të tjerë, disa prej të cilëve me djegie të rënda.
Për momentin, 3 motra e 2 vëllezër janë në spital në gjendje të rëndë. Autoritetet kanë konfirmuar se të paktën 3 bomba shpërthyen gjatë lutjes hapëse rreth orës 9.40 të paradites. I dyshuari për këtë akt të tmerrshëm është arrestuar dhe hetimet vazhdojnë.
I jemi shumë mirënjohës personelit të rasteve emergjente që erdhën menjëherë në vendin e ngjarjes për të dhënë ndihmën e nevojshme, si edhe bluzave të bardha që po kujdesen për të plagosurit në spital.
Të pranishmit në ngjarje janë shumë të prekur e të inkurajuar edhe nga dashuria dhe përkrahja që u treguan bashkëbesimtarët. Një motër që ishte në auditor kur shpërthyen bombat, tregon: «Menjëherë fillova t’i lutesha Jehovait. Mikpritësit bashkë me vëllezër të tjerë u kujdesën kaq mirë për ne dhe vepruan shpejt që ne të ishim të sigurt. Ishte tregues i dashurisë dhe i merakut që Jehovai ka për secilin prej nesh.»
Përfaqësues të degës së Indisë, mbikëqyrës qarkorë dhe pleq vendës po u japin ngushëllim nga Bibla dhe ndihmë praktike të prekurve. Një plak nga zyra e degës që shkoi në Keralë për t’u dhënë zemër vëllezërve e motrave të prekur nga sulmi, vëren: «Kuptohet që në raste të tilla shoku, dhimbja dhe trauma janë të pashmangshme, por jam inkurajuar nga qëndrimi pozitiv i vëllezërve të lënduar. Fola personalisht me shumë prej tyre. Kur pashë me sytë e mi sa fort mbështeteshin te Jehovai, m’u forcua besimi.»
Të gjithë ne, si një vëllazëri mbarëbotërore, lutemi për familjet e viktimave dhe për ata që janë prekur nga kjo tragjedi e tmerrshme në Indi. Premtimi i Biblës për një të ardhme pa dhunë, vuajtje e vdekje, na ngushëllon e na jep paqe të brendshme. Jemi të vendosur të mbështetemi me besim dhe siguri të plotë te Jehovai.—Psalmi 56:3